Zhvillimi i gazetarisë online në Shqipëri
Interneti dhe “magjia” e klikut në botën e informacionit. Ndikimet dhe pasojat
Kombinimi i formave të informacionit në një medium quhet Multimedia. Ky është koncepti klasik i kësaj forme, që kohë pas kohe është zhvilluar dhe kthyer në pararojë të zhvillimit mediatik, sidomos për teknologjitë e reja. Ne botë është një prej formave më të përhapura për shpërndarjen e informacionit dhe argëtimit. Kjo falë nivelit të zhvillimit të vendit, si dhe teknologjisë së informacionit. Në thelb, Multimedia të ofron informacionin e ilustruar me imazhe fotografike, pamje vizive, audio dhe mundësi interaktiviteti me media-konsumatorin.
Modeli i të informuarit nëpërmjet sistemit multimedial në kohët e sotme, sidomos në vendet më të zhvilluara edhe në aspektin ekonomik, bën diferencën nga njëri vend në tjetrin. Pararojë të këtij sistemi natyrisht që janë SHBA, Evropa, Azia, Australia e natyrisht diçka më pak vendet afrikane. Por mënyra e përcjelljes së informacionit sot në kohë reale, me të gjithë komponentët e tij, imazh, zë dhe shkrim, natyrisht që mundësohet nga fuqia më e madhe e komunikimit interaktiv, Interneti.
Mediume të mëdha, me fuqi dhe influenca të dukshme në vendet ku publikohen, kanë zgjedhur të rriten profesionalisht, duke zgjedhur mënyrën e servirjes së informacionit. Një gazetë e madhe, radio prestigjioze, revistë e rëndësishme apo tv me shikueshmëri të lartë, në faqet e tyre zyrtare në internet kanë vendosur të përshtatin sistemin Multimedial, si mënyrën më të mirë për t‘i ofruar gjithçka publikut që i zgjedh për t‘u informuar. Në faqen e tyre on-line, gazetat e rëndësishme, përveç shkrimeve të përditshme vendosin të publikojnë imazhe filmike, galeri fotografike, të krijojnë klipe audio si Podcast dhe të hapin forume diskutimi e informimi vetëm me një qëllim: të mbledhin në një të vetëm shërbimet që kërkon dikush i cili do të informohet shpejt e në të gjitha mënyrat. Më i plotë dhe i larmishëm është një web-site i një kompanie mediatike, e cila përfshin radio, tv, gazeta, revista, agjenci fotografike e filmike. Rasti tipik ku mund të referohesh për këtë ide është korporata amerikane TIME WARNER, nga e cila derivojnë mediume të ndryshme dhe shumë të fuqishme sot në botë.
Të krijosh një sistem Multimedial, sot prioritet sipas editorëve të kësaj gjinie gazetareske është vendosja e informacionit të duhur në kohën e duhur, shoqëruar me të gjitha materialet e duhura. Një faqe on-line është e nevojshme të ketë një suport të tillë për t‘u konsideruar portal i informacionit Multimedial.
On-line Shqip (në Shqipëri)
Në 2008-ën, kur teknologjitë e reja të informacionit janë zhvilluar në skaj, influencat e këtij progresi kanë prekur ndjeshëm dhe Shqipërinë. Cilësia e shërbimit të Internetit, zhvillimi mediatik në vend dhe investimi në sektorin e informacionit multimedial në web tregojnë mbi vëmendjen që po i kushtohet këtij sektori. Përdorimi i Internetit në Shqipëri është ende i kufizuar, ndikuar nga zhvillimi teknologjik në vend, shërbimi që ofrojnë ISP-të në treg, si dhe përqindja e përdoruesve të teknologjive të reja të informacionit. Për mediat në Shqipëri, të jenë on-line nuk është parë vetëm si kërkesë e kohës, por mundësi e mirë marketingu dhe kontakti për informacionin që servirin. Natyrisht edhe tregu multimedial në Shqipëri prej disa vitesh ekziston dhe ka konkurrencën e tij. E si në çdo garë, dikush është më i mirë e të tjerë më pak. Disa media e individë kanë investuar për të ofruar shërbim multimedial, të tjerë jo. Kjo në varësi të përparësive editoriale apo mundësive. Të jesh në dijeni të zhvillimeve të fundit, nëse zgjedh të informohesh on-line në Shqipëri gjen një game të gjerë web-sitesh që të ofrojnë informacion, por në bazë të cilësisë dhe shpejtësisë media-konsumatori përzgjedh ku do të informohet. Kompani të njohura mediatike kanë ofruar një sërë shërbimesh në një portal të vetëm, duke krijuar stilin multimedial, të tjera janë mjaftuar me pak investime. Kryesisht televizionet dhe radiot në faqet e tyre on-line servirin një shërbim të tillë.
Faqet më të klikuara për informacion të shpejtë e të përditshëm janë Balkanweb, Top-Channel.tv dhe Shekulli.com.al. Në këto faqe në Internet, veç informacionit që përcillet në kohë-reale, janë shtuar edhe Video+Foto dhe materiale Audio, të cilat shërbejnë si poadcast për ata që duan të rishohin apo ridëgjojnë materiale të transmetuara më parë.
Mbështetur nga kompani të mëdha mediatike, të cilat kanë investuar në shumë sektorë të medias, TV, Radio, Gazetë e fotografi, këto faqe web kanë galeri të pasur informacioni. E po ashtu edhe Web-Editor, të cilët përditësojnë informacionin në faqet e këtyre agjencive on line. Shërbimi në pjesën më të madhe është falas. Por në disa raste arkiva e gjerë e materialeve të botuara ofrohet on-line nëpërmjet pagesës. Shumë mediume përdorin edhe formën e leximit nëpërmjet shkarkimit (download-imit) nga faqet e tyre PDF, kryesisht të gazetës, e cila ka dalë e printuar në treg, veç edicionit elektronik në web. Shërbimet multimediale të këtyre mediave kanë bërë të ndihet konkurrenca mes tyre për të kapur sa më shume vizitorë on-line, edhe pse për këtë të fundit statistika zyrtare nuk ka. Faqet on-line në disa raste vendosin web-metter, por sipas vetë web-editorëve, shifrat që tregojnë frekuentueshmërinë e faqes mund të mos jenë fort të besueshme.
Me pagesë shërbimin e saj on-line e ofron edhe ATSH (agjencia telegrafike shqiptare), e cila veç informacionit të shkruar e të përditësuar në shërbim shet edhe foto, audio e video, por këto të fundit nuk i funksionojnë, edhe pse paraqitet me imazh multimedial.
Revistat on-line në vend e përditësojnë materialin e tyre periodikisht. Disa prej tyre kanë vendosur leximin on-line me pagesë dhe për rrjedhojë edhe shërbimi që ofrojnë është më kualitativ. Revista “Spekter”, “Monitor”, si dhe revista “Psikologjia”, kërkojnë pagesa vjetore për t‘u abonuar pranë tyre. Aksesi kryesisht i atyre që paguajnë janë lexuesit shqiptarë jashtë vendit.
Por shërbim pa pagesë ofrojnë revista të tjera në vend si SHQIP, MAPO, KLAN, JETA deri te MAT e ONE, të cilat dikush në mënyrë korrekte, dikush më pak se kaq, përditësojnë në web-materialet e botuara në faqet e revistave të tyre. E gjithë kjo mbetet vetëm te hedhja e skripteve on-line, ndërsa faqet e tyre nuk tentojnë të ofrojnë shërbim multimedial, kjo nisur edhe nga interesat dhe qëllimi i tyre. Po kështu ndodh edhe me gazetat e përditshme, të cilat përditësojnë në mënyrë të shpejtë materialet e shkruara në faqet e tyre të printuara. Shumë prej titujve të shtypit të përditshëm kanë faqet e tyre on-line, por ajo që ofrojnë, në përgjithësi, është vetëm publikimi i gazetës ditore, renditur në rubrika dhe anekse, të cilat orientojnë lexuesit on-line.
Qëllimi i tyre është të jenë të aksesueshme kudo edhe në këtë lloj forme, ndaj investimi në web-faqet e tyre është orientuar vetëm në këtë drejtim dhe jo më gjerë.
Te vëzhgimi rreth Medias On Line në Shqipëri e fokusova vetëm te web-faqet më të klikuara, të cilat po ashtu sipas statistikave kanë vizitorët më të shumtë në rrjet gjatë ditës. Ajo që është e rëndësishme mbetet tregu i informacionit ON LINE në Shqipëri, i cili është në zhvillim dhe mbetet i madh e i gjerë, duke mos u kufizuar vetëm në shembujt e mësipërm. Mundësia për të ofruar imazh multimedial dhe informacion të shumëllojshëm në një logo të vetme apo një web-site të vetëm, mbetet zgjedhje editoriale dhe angazhim në këtë sektor për ato media që kanë vendosur të investojnë në këtë fushë. Shembulli tipik mbeten mediat perëndimore, si gazetat on-line apo tv në Itali, Britani, Francë, Spanjë, Gjermani, SHBA e kudo ku ka teknologji të përparuar, të cilat si synim kanë të ofrojnë një gamë të gjerë informacioni multimedial për të thithur sa më shumë vizitorë, e për rrjedhojë vëmendje dhe marketing. Tek ne rruga e zhvillimit të mediave të teknologjisë së re sapo ka nisur, ajo është e gjatë, ndaj zhvillimi në këtë sektor tregon dominuesit e të ardhmes.
Sa të besueshme janë statistikat?
Kjo është fjalia që has tek web-editorët on-line. Nëse do kërkosh të hysh në numra apo statistika, të paktën për faqet shqiptare on-line rezultatet që do marrësh mbeten shumë të diskutueshme. Web-sitet serioze me paraqitje dhe funksion multimedial, në ndryshim nga të tjerat, pjesën më të madhe të garës e ndajnë mes tyre. Por pjesa më e madhe e web-editorëve on-line thonë se statistikat që mund të botojë çdo faqe në internet për trafikun e vizitave mbetet e pa vërtetuar 100%, e manipulueshme dhe pa një rregull. Për referenca të mbeten vetëm kompanitë e huaja on-line që ofrojnë statistika në bazë të vizitave në web. Madje Igli Gjelishti, web-master në “Top Media”, thotë se “nuk ka një instancë statistikore për mediat on-line. Pra mbetet tymnajë informacioni”.
Por lista e mediave on-line në Shqipëri është e gjatë, për t‘u fokusuar vetëm te shërbimi i informacionit, pa marrë parasysh faqet amatore, apo shumë të tjera personale e jo vetëm që qarkullojnë në rrjet me autorësi shqiptare.
Bazuar në të dhënat e kompanisë ALEXA, e specializuar për statistikat on-line, faqet më të klikuara në sektorin mediatik në Shqipëri janë këto:
Albania Top Sites
Renditja është sipas klikimeve ditore nga janari deri në gusht 2008. Përdoruesit e tyre, sipas përqindjes, tregojnë vendet e ndryshme të botës, nga ku shihen këto mediume shqiptare në internet
*Balkanweb.com
Shqipëri 47.5%
Itali 11.2%
SHBA 10.2%
Austri 7.3%
Gjermani 6.9%
*Top-channel.tv
Shqipëri 35.8%
SHBA 12.6%
Itali 12.3%
Austri 7.6%
Gjermani 6.9%
*Gazeta-shqip.com
Shqipëri 40.5%
SHBA 19.9%
Itali 14.3%
Austri 12.6%
Kanada 4.5%
*Panorama.com.al
Shqipëri 40.5%
SHBA 17.1%
Austri 15.6%
Holandë 8.3%
Kanada 6.4%
*Shekulli.com.al
Shqipëri 25.8%
SHBA 20.3%
Itali 17.3%
Austri 8.3%
Holandë 6.5%
*Topalbaniaradio.com
Shqipëri 62.2%
Itali 22.2%
Greqi 2.9%
SHBA 2.0%
Kanada 1.9%

Komento shkrimin