Shtypi dhe organizimi i çorganizuar

shkruan Dardan Malaj

Nuk do doja natyrisht të isha ndër të parët “ushtarë” (siç preferon t‘i quajë z.Nazarko në shkrimin e tij) që të marr pjesë në debatin e hapur nga “Shqip” për krizën e shtypit të shkruar. Shumë kolegë të mi kanë vite më shumë në këtë profesion dhe rrjedhimisht do kishin shumë më tepër se ç‘të thoshin. Fatkeqësia në këtë rast mbetet mungesa e guximit për të hedhur dy fjalë në formën e një komenti, shënimi a shkrimi debatues. Paçka se teksa shkruajmë çdo ditë, nuk duhet të ishim ne që të kishim frikë të merrnim pjesë në debat. Kjo mbase është arsyeja pse “Shqip”, deri më tani, për këtë çështje, ka mbetur në rangun e replikave mes analistësh dhe drejtues mediash, duke i munguar dimensioni i reporterit të terrenit. Jam i bindur se as në këtë rast nuk do mungojnë ata që do thonë: Po ky është “ushtar”, ç‘ka që merret me “gjeneralët”?. Përtej kësaj do përpiqem të hedh dy mendime modeste, që mbase dikush do ketë kohë t‘i hedh një sy.

Gazetaria në tërësi është pjesë e kësaj shoqërie ku ne jetojmë, pjesë e realitetit shqiptar. Nuk besoj se ndokush mendon se mediat janë “Ufo”, që zbresin nga sipër pa asnjë lidhje me terrenin ku vendosen. Por nëse shkojmë me idenë se funksioni i tyre është të paraprijnë në zhvillimin e një shoqërie, them se ja vlen të diskutojmë. Të hedhim ide se si mund të “shpëtojmë” nga grackat që ngre çdo ditë realiteti, me synimin për të krijuar një media edukuese, informuese apo argëtuese. Do ta mbështesja plotësisht konstatimin e z.Dervishi, kur thotë se “jemi në një pikë ku kërkohen lexues, por më parë duhen kërkuar reporterë”. E pikërisht, nëse nuk kemi reporterë, nuk do kemi dot as redaktorë. Deri më sot, nuk kam parë një redaksi gazete në Shqipëri që të funksionojë sipas një standardi. Shumica e tyre shkojnë në rrugë pa krye dhe në orët e mbrëmjes i zë paniku me ç‘të hapin gazetën. Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur përmbajtja i lihet pothuajse tërësisht në dorë reporterëve të terrenit, krejt në vullnetin e tyre. Në pak gazeta zhvillohet mbledhje mëngjesi në redaksi. Edhe aty ku ndodh, shikon reporterë që, ende të pa zgjuar nga gjumi, ftohen t‘u rrëfejnë “gjeneralëve” çështjet, të cilat duhet të ndjekin gjatë ditës. Si ka mundësi që nuk ndodh e kundërta? A mos duhet që kryeredaktorët dhe redaktorët të mblidheshin të parët, të analizonin shtypin e të dilnin në një konkluzion se nga do drejtohet numri i nesërm i gazetës së tyre. A mos duhet të ishin ata që të jepnin ide, porosi e pastaj të kërkonin mendim nga reporteri? Në këtë formë, gazeta mund të kishte vërtet kokë e të drejtohej nga sipër. Jam i bindur se kështu ato do pasuroheshin edhe me atë çka sot rëndom i mungon: reportazhet, portretet njerëzore, vëzhgimet, investigimet etj. Nuk mund t‘i lihet orientimi i gazetës mendjes së pavarur të një grupi reporterësh ende të përgjumur. E them këtë të fundit për shkak se janë këta që vërtet, siç thotë Z.Lesi apo z.Lani, qëndrojnë kafeneve dhe e kërkojnë aty lajmin. Por, në fakt, janë po këta që dalin në orët e para të mëngjesit në terren, në shumë raste ushqehen në rrugë dhe e kanë luks të hanë një drekë si “gjeneralët”. Janë po këta që largohen nga redaksitë e gazetave në ato orë kur në rrugët e Tiranës gjen vetëm pastrues dhe policë që lënë shërbimin. Nuk duhet mbështetur, por s‘kemi pse çuditemi kaq shumë se gazetarët i gjen në kafe. Ashtu ndodhte edhe para vitit 1997, me ndryshimin se në atë kohë reporterët rrinin te “Bar West” ndërsa tani ish-blloku ofron mundësi zgjedhjeje. Të gjithë e dimë që edhe shteti fatkeqësisht funksionon në kafe, edhe qeveritë janë ndërruar e krijuar po në kafene e restorante. Nuk besoj se zgjidhja vjen prej anatemimit të gazetarëve, por “gjeneralët” duhet të gjejnë format e duhura se si të vënë në punë reporterët. Fundja duke vënë së pari në pozita pune veten e tyre dhe për rrjedhojë edhe reporterët do t‘u largohen kafeneve.

Fatkeqësisht, në mediat tona ende ngre kokë fryma e “shefllikut” dhe në pak vende kuptohet se gazeta është një produkt kolektiv, i një kontributi po kaq kolektiv. Këtu dalim te një tjetër dimension i situatës në shtypin e shkruar. “Gjeneralët” janë larguar dukshëm prej “ushtarëve” dhe hendeku mes tyre s‘ka se si mos të përkthehet në rënie produkti. Kjo shfaqet dukshëm, teksa drejtuesit e mediave janë afruar “mish e thua” me botuesit, duke e parë të ardhmen e tyre më të sigurt në këtë binjakëzim. Çudi, në fakt, sepse e kundërta do t‘u jepte sukses profesional dhe vazhdimësi pune. Është logjike që interesat e botuesve në rolin e punëdhënësve nuk përputhen me interesat e punëmarrësve, që janë reporterët. Por, nëse ky i fundit ka kundër interesave të tij edhe botuesin edhe kryeredaktorin, çështja komplikohet…

Nuk mund të jem dakord me konstatime që ndajnë brezat e gazetarëve; në të mirë e të aftë ata që ishin para vitit 1997 dhe në dembelë këta të pas këtij viti. Jam i bindur se edhe zotërinjtë Isaku dhe Nazarko, që e shohin me nostalgji atë periudhë, dinë plot raste reporterësh dembelë, njësoj siç ka sot plot raste reporterësh të suksesshëm. Ndaj, përgjithësimi dhe ndarja me thikë mes dy periudhave të zhvillimit të shtypit të shkruar është pa vend dhe konfliktuoze për brezat. Sot mund të të vijë keq teksa shikon reporterët gjithë ditën nëpër kafene (nuk është se e marr aspak në mbrojtje si veprim), por ka raste kur ndjehesh keq edhe teksa në një derë partie apo institucioni shtetëror të thonë pa ndrojtje se “ju gazetarët bliheni dhe shiteni” apo shprehje të tilla se “një miku im kryeredaktor mori para për botimin e një interviste në gazetë”.

Kam përshtypjen se “ushtarët”, disa si puna ime (qoftë edhe me një fakultet gazetarie) janë ende periferik sa të blihen e shiten, qoftë edhe për faktin e vetëm se nuk kanë gjë në dorë. Atëherë nga vjen ky konstatim që na përplaset në surrat pothuajse çdo ditë? Kur dhe kush kanë qenë “gjeneralët” që në të shkuarën kanë dhënë shembuj blerjeje dhe shitjeje? Sepse këtu duhet kërkuar edhe një pjesë e implikimit të shtypit dhe medias në tërësi, çka ka bërë t‘i bjerë dukshëm roli dhe fuqia.

Sa i takon analistëve më vjen keq teksa një pjesë ja vënë fajin gazetarit për nivelin e ulët të shkrimit të tyre, që lidhet me lëndën e parë. Kush i ka penguar këta analistë të dalin terren, të takojnë njerëz, të marrin pjesë në konferenca shtypi, të trokasin në institucione? Nëse do ta bënin këtë, besoj do ta kishin shumë më të thjeshtë që në shkrimet e tyre të sillnin fakte të vjetra, t‘i ballafaqonin me të reja që nuk njihen, e së fundi të dalin në një konkluzion si zgjidhet kjo punë. Paçka se mund të dukem krejt drastik në mendim, do preferoja që gazeta të kishte në faqe të parë një kolonë në formën e një shënimi redaksional në vend të opinioneve të analistëve. Një lexues i rregullt i gazetës X do donte të dinte qëndrimin e saj rreth fenomeneve të ditës më shumë se të lexonte analizat e opinionistëve. Fundja, edhe gazeta e ngritur në rangun e një institucioni do ishte në rolin e saj nëse pozicionohej ndaj fenomeneve. Shpreh bindjen se kjo nuk do sillte vetëm shëndoshje të financave të redaksive, por edhe shtim të reputacionit të një të përditshmeje.

Së fundi, do doja të prekja diçka për raportin mes televizionit dhe shtypit të shkruar. Dukshëm shfaqet tendenca “mbytëse” e medias vizive ndaj asaj të shkruar, por kjo e fundit, përveç nënshtrimit në përmbajtje, nuk kundërpërgjigjet as në strategji. Nuk e kuptoj çfarë interesi kanë gazetat, shumica e të cilave e konsideron si reklamë, leximin e titujve në ekranet televizive në orët e para të mëngjesit. Më keq se kaq, ka televizione (shumica mbushin programacionin) që marrin përsipër të të lexojnë gjithë shkrimin kryesor të gazetës. Po, po, të ta lexojnë shkrimin, teksa je i shtrirë në krevat apo duke pirë një kafe. Për çfarë arsyeje duhet të blihet gazeta në një rast të tillë? Televizionet më të mëdha në botë, e njohin praktikën e leximit të shtypit, por ama faqja e parë e gazetës shfaqet vetëm për pak sekonda në ekran dhe lexohet vetëm një apo dy tituj. Në këtë formë, siç ndodh te ne, legjitimohet edhe mbajtja në treg e gazetës X, me 100 lexues që del në treg për interesat e ngushta të pronarit Y. Një fletushkë e tillë nuk publikohet për lexuesin, por për t‘u kënduar në ekranet e mëngjesit, duke i bërë presionin e radhës zyrtarit Z.

Komento shkrimin

Ju mund te perdorni shenja XHTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <blockquote cite=""> <code> <em> <strong>