Shqipëri, Rritet kufiri i lejuar për reklamat
nga Fabiola Çela
Pas kërkesave të biznesit qeveria është tërhequr në vendimin e saj, duke rritur nivelin e shpenzimeve për reklama që do t’u njihen si shpenzime të zbritshme nga 1 për qind që u deklarua më parë në 3 për qind. Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar dje nen për nen paketën fiskale. Ndërkohë që hyrja në fuqi e paketës fiskale mund të shtyhet më 1 shtator dhe jo në korrik siç ishte parashikuar. Kjo si pasojë e zgjedhjeve presidenciale. NdryshimetNdër ndryshimet që u miratuan në paketën fiskale ishte dhe ndryshimi i përqindjes së xhiros vjetore që do të përdoret për reklama dhe që do të njihet si shpenzim i zbritshëm. Kështu, një subjekti do t‘i njihet si shpenzim i zbritshëm deri në tre për qind të xhiros vjetore. Aktualisht, kjo shifër është 0.3 për qind, ndërkohë që propozimi ishte 1 për qind. Sipas zëvendësministrit, Florjon Mima një ndryshim i tillë u krye pas konsultimeve me bizneset, që kanë kërkuar rritjen e këtij kufiri. Ndërkohë që komisioni i Ekonomisë nuk ka marrë parasysh kërkesën e bërë dy ditë më parë nga ndërtuesit, të cilët kërkuan që të shtyhej afati kohor për dhënien e pagave nëpërmjet sistemit bankar. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe për të gjithë ata që nuk e zbatojnë do të aplikohen penalitete. Paketa fiskale
Pjesë e paketës është aplikimi i taksës së sheshtë. Me miratimin e kësaj paketë tatimi mbi të ardhurat personale do të jetë 10 për qind dhe jo me i shkallëzuar. Nga ky rregull bëjnë përjashtim vetëm pagat e ulëta, deri në nivelin 30.000 lekë, të cilat për pragun nga 0 lekë deri në 10.000 lekë janë të përjashtuara nga taksimi (tatohen me 0%), ndërsa për pjesën e mbetur (diferencën) deri në 30.000 lekë, taksohen me 10%. Pjesë e p/ligjit të miratuar është edhe detyrimi me ligj për të gjithë subjektet punëmarrës, që të kryejnë pagesat vetëm nëpërmjet sistemit bankar. Në të kundërt, shpenzimet për paga, shpërblime si dhe çdo formë tjetër e përfitimit të të ardhurave do të konsiderohen shpenzime të panjohura. Një tjetër projektligj, është edhe ai që parashikon një ndryshim në nenin 36/1 të procedurave tatimore, i cili ka të bëjë me detyrimin që i vendoset të gjithë subjekteve taksapagues që të mos kryejnë pagesa dhe arkëtime në Cash, për transaksione të cilët kalojnë vlerën e 300 mijë lekëve për çdo transaksion, duke mbajtur kufirin ekzistues 300 mijë lekë për transaksion, si dhe duke vendosur edhe një kufizim vjetor, jo më shumë se 10% të vlerës së transaksioneve totale në vit. Një tjetër p/ligj është ai për një ndryshim në sistemin e taksave vendore. Projekti parashikon përfshirjen në sistemin e taksave edhe të asaj kategorie taksapaguesish, të cilët kanë në pronësi apo në përdorim ndërtesa brenda territoreve të përcaktuara si fshatra turistike. Niveli i kësaj takse është parashikuar të jetë në masën 200 lekë/m2. Ndërsa, projektligji për sistemin e taksave në Republikën e Shqipërisë ka të bëjë me vendosjen e taksës më të lartë për automjetet e përdorura që importohen në Republikën e Shqipërisë.
(G. Panorama)

Komento shkrimin