Reklamat për mediat, tani me komision të posaçëm vlerësimi
Qeveria ndryshon formën e përzgjedhjes së medias për publikimin e reklamës
Ndryshon forma e përzgjedhjes së medias për publikimin e reklamave që dëshirojnë të kryejnë institucionet shtetërore në nivel qendror dhe vendor. Vendimi i djeshëm i qeverisë, duke iu referuar ligjit “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe atij të Turizmit dhe Kulturës, konsiston në kryerjen e disa ndryshimeve mbi procedurat që duhet të ndjekë titullari i një institucioni lidhur me publikimin e reklamës apo njoftimit. Ky vendim ka për qëllim vendosjen e rregullave për realizimin e blerjes, të zhvillimit, prodhimit e të bashkëprodhimit të programeve a të reklamave, për transmetim nga operatorët radiotelevizivë, ose botim në median e shkruar dhe për kontratat për kohë transmetimi nga organet e administratës shtetërore.
Vlerësimi
Titullari i institucionit urdhëron, me shkrim, blerjen, zhvillimin, prodhimin apo bashkëprodhimin e programeve a të reklamave, transmetimin nga operatorët radiotelevizivë, ose botimin në median e shkruar dhe procedurat për kontratat për kohë transmetimi për çdo rast, duke parashikuar objektin, nevojën e kryerjes së programit/reklamës/spotit, shpeshtësinë dhe periudhën e shfaqjes së tij, fondin limit, numrin e televizioneve dhe përbërjen e komisionit, për ndjekjen e procedurave. Në varësi të llojit të programit, reklamës apo spotit, kushtet e veçanta, për përzgjedhjen e organeve të masmedias/agjencive të specializuara, janë: organi i masmedias, çmimi i ofruar dhe koha e transmetimit. Komisioni për ndjekjen e procedurave dhe hartimin e dokumenteve përbëhet nga 5 anëtarë, tre prej të cilëve specialistë të fushës.
Afatet
Komisioni, brenda një periudhe kohore 5-ditore nga data e daljes së urdhrit, u shpërndan, me korrespondencë zyrtare, organeve të masmedias ftesën për negociata, e cila publikohet edhe në faqen e internetit të institucionit. Pas analizimit të ofertave, të paraqitura nga organet e masmedias, komisioni përzgjedh në bazë të pikëve ato media, duke u bazuar në kushtet e mësipërme e më pas ia paraqet titullarit të institucionit. Ky i fundit, vendos brenda 2 ditëve nga data e paraqitjes së rekomandimit, lidhjen e kontratës. (G. Shqip)

Komento shkrimin