Objektiviteti dhe Liria e Munguar - Media Alternative
nga Arber Zaimi
Sistemi mediatik në Shqipëri po ndjek pashmangshmërisht rrugën e bekuar të “Perëndimit”, rrugë që po e çon drejt zhvillimeve teknologjike që rrisin ndjeshëm cilësinë, por që nga ana tjetër, gjithnjë e më tepër po e kthejnë këtë sistem mediatik në mjet kontrolli, që shpesh shërben për të tjetërsuar logjikën sociale në interes të pronarëve. Janë tre televizionet me liçensë kombëtare në Shqipëri, në pronësi të shtetit, apo të kompanive private. Janë tre platformat dixhitale, dhe këto në pronësi të biznesit (të lidhur tepër ngushtë, në mënyrë krejtësisht të natyrshme me politikën). Janë vetëm dy gazeta që shesin më tepër se 10.000 kopje në tregun shqiptar. Ndërkohë që dhe pjesa e mbetur e tregut, gazetat e vogla, apo televizionet lokale e radiot janë gjithashtu pronë private e ndonjë biznesmeni që i përdor për të bërë shantazh në rast se nuk i realizohen pritshmëritë ekonomike, apo të ndonjë force politike që përpiqet të rregullojë imazhin e përlyer nga vjedhje e abuzime.
Të gjitha këto media, të futura tashmë në garën e pandalshme dhe të pambarimtë për të kapur një share sa më të madh në publik janë në proçes të vazhdueshëm për të përshtatur programacionin e tyre me shijet e zakonet e publikut, si dhe për të konformuar bindjet dhe personalitetet e publikut në atë çka i intereson vetë këtyre mediave, a më mirë pronarëve të tyre. Ky është komerçializmi mediatik, përshtatja me tregun e në të njëjtën kohë shformimi i mendësive të tregut sipas interesave ekonomiko-politikë. Pas disa vjetësh “demokratizimi mediatik” sot mund të flitet për një komerçializim full-scale të edukimit, kulturës, artit apo sportit, ngjarje këto që e kanë humbur dimensionin social, dhe shndërrohen gjithnjë e më tepër në mjete dhune, shantazhi apo trafiku të interesit, përderisa pjesëmarrja publike është gjithnjë e më tepër e kufizuar, dhe vendimmarrja mbi to, mbi mënyrat, objektivat e target-groups-et është ekskluzivisht e pronarëve të mediave, apo bordeve të ngushta të “këshilltarëve politikë dhe ekonomikë”. Nocionet dhe konceptet e shërbimit publik tashmë janë zhdukur nga diskursi për median (e cila mbetet publike në emërtim). Liria e fjalës së gazetarit apo opinionistit është gjithnjë e më tepër e kufizuar, e shkelur apo e abuzuar rëndë, por tashmë jemi mësuar me këtë fakt, duke qenë se median e shohim si bahçe të pronarit të vet, që herë mbjell qepë, e herë domate, për të bërë sallatën e shtëpisë së vet (shpeshherë vihet re fenomeni i autocensurës tek gazetarët, në një ambient totalisht të pasigurt dhe abuziv). Eshtë e kuptueshme që liria e gazetarit, apo objektiviteti i lajmit do të vihen gjithnjë në diskutim sa herë që lajmi apo mendimi të ketë konflikt me interesat e pronësisë. Publiku nuk merret parasysh. E megjithatë asnjë media moderne nuk mund të ekzistojë pa publikun, këtë element sa të rëndësishëm, aq edhe të diskriminuar në ndërtimin e këtyre kompanive gjigande që ushtrojnë pushtet të pakontrolluar.
Pasi kanë studiuar marrëdhëniet e medias me shoqërinë, konjukturat e brendshme dhe të jashtme të këtij sistemi, jo pak studiues kanë nxjerrë përfundime kritike për sa i përket rolit të medias si përcjellës i lajmit, apo ndërtues i debatit publik (Hermann, Chomsky, Althusser etj.). Një ndërgjegjësim publik ka filluar të ekzistojë vitet e fundit, dhe nuk janë pak lëvizjet aktive sociale ose politike që kërkojnë një reformim të medias, në shoqëritë perëndimore. Por në Shqipëri nuk ndodh kështu. Deri më sot nuk ka një diskurs publik për reformim të medias, mbajtjes nën kontroll të komerçializimit, apo detyrimit për të ushtruar rolin edukativ, a për të ofruar mundësinë e pjesëmarrjes të grupeve të ndryshëm në diskurset publike. Reformat në Shqipëri diskutohen vetëm kur i ka bërë gjithë bota, dhe ne i ndjekim verbërisht, me instinktin e tufës. Argumenti luan një rol krejt të parëndësishëm.
Kjo nuk do të thotë që problemi i medias mainstream, e cila kontrollohet politikisht dhe ekonomikisht nuk ndihet tek ne. Përkundrazi, i gjithë ky degjenerim i gazetarisë, i fjalës së lirë, i sensit kritik apo vlerësues – që vjen nga skllavërimi i punonjësit të medias (që mund te pushohet nga puna pa një pa dy në rast se s’mban qëndrimin e duhur) ka sjellë një reagim publik, të heshtur por të qenësishëm. Në vitet e fundit me dhjetëra shqiptarë, kryesisht studentë e intelektualë kanë zgjedhur të përdorin median alternative. Kryesisht bëhet fjalë për blogjet, a për faqet e internetit. Për aktivizëm mediatik disa kanë zgjedhur të përdorin dhe hapësira virtuale si Facebook apo Twitter, të cilat edhe pse të mbytura nga marketingu ekonomik apo politik, si dhe nga injoranca masive e provokuar nga komercializmi, ofrojnë një marrëdhënie të lehtë me publikun, karakterizuar nga publikimi i shpejtë e i thjeshtë i materialeve (shkrime, video a foto), si dhe një shpërndarje efektive. Problemi i këtyre hapësirave nga ana tjetër qëndron tek masivizmi që shpie në ulje të cilësisë dhe në prodhimin e një efekti të lodhjes tek lexuesit. Media alternative më pak e përhapur në Shqipëri është radiotelevizioni i pavarur, në të vërtetë ekzistojnë fare pak përpjekje për të prodhuar transmetim pa qëllime përfitimi apo politike (rtv joqeveritare ose jofitimprurëse). Deri më tash përpjekjet e tilla janë fare pak, një radio në Tiranë dhe një televizion në Prishtinë, të dyja me status krejt lokal sa i përket shpërndarjes. Mjet edhe më i kufizuar në përdorim janë botimet e gazetave alternative, që zor se gjejnë hapësirë në këtë treg konfuz të mbytur nga 60 tituj gazetash të mbushura me palaçollëqe e me djallëzi.
Në një analizë që mund t’i bëjmë hapësirës më të përshtatshme që ka gjetur aktivizmi mediatik shqipfolës (përjashtohen qëllimet thjesht artistike apo ekzibicioniste), pra blogut aktivist, mund të vëmë re në përgjithësi dy fenomene kryesore, mungesën e konstruktivizmit si dhe shkëputjen nga dimensionet e jetës jovirtuale. Mungesa e konstruktivizmit shfaqet së pari në individualizmin e bloggerave, me të vërtetë shumica e blogjeve janë të menaxhuara a të kontrolluara nga një person i vetëm. Blogjet kolektive janë të rralla e mund të numërohen me gishta. Janë edhe më të rrallë blogjet kolektive të karakterizuara nga një vijë mendimi, qoftë kjo sociale, kulturore, apo politike. Individualizmi shpesh përkthehet në konfuzion, në panoramën e përgjithshme të blogjeve shqip, të cilat jo rrallëherë janë kontradiktore me njëra-tjetrën, si edhe me vetveten. Kjo lë të kuptohet që shumicës së autorëve të këtyre blogjeve i mungon një platformë e qartë e cilësdo natyrë, dhe në të vërtetë i kanë hapur blogjet thjesht për të përcjellë mendime a ide të rastit, në funksion të momentit e të vetvetes e jo dhe aq të publikut (që nuk është i vogël). Pjesë tjetër e rëndësishme e natyrës së një pjese të mirë të blogjeve është kritika dhe skepticizmi, i cili është krejtësisht pozitiv në kushtet e një shoqërie problematike si ajo perëndimore, apo defiçiente në përmbushjen e funksioneve të veta, si ajo shqiptare. Mirëpo ky skepticizëm mbetet destruktiv për sa kohë nuk propozohen alternativa apo zgjidhje, e për sa kohe nuk indikohen persona apo fenomene të denoncuar (mbetet i çuditshëm fakti që edhe pse virtualiteti të garanton anonimitetin, ky anonimitet shpesh shfrytëzohet për t’u tallur, e krejt rrallë për të thënë të vërteta mbi faje e mbi fajtorë, pra sërish ka një lloj autocensure). Më sipër përmenda edhe shkëputjen nga dimensionet e jetës jovirtuale, një fenomen i përhapur nëpër autorë blogjesh (edhe i kuptueshëm ç’është e vërteta, duke qenë se në përgjithësi strehë tek virtualja kërkohet kur të ka zhgënjyer realja). Kjo shkëputje demonstrohet hera-herës tek krijimi i diskurseve të kota, sipërfaqësore apo jo relevante. Përshembull në momentet kur atdheu përballet me rreziqet e neokolonializmit global, e kur shqiptari po zhvishet nga pronësia e po detyrohet të shkojë argat jashtështetit këto blogje e shpërqendrojnë fokusin tek atdhetarizma skënderbeiane. Në momentet kur vendi ka nevojë për njerëz aktivë shoqërisht e politikisht për të penguar shitjen dhe tjetërsimin e njerëzve e të kapitalit, personat që janë të aftë ta bëjnë këtë rezistencë zgjedhin të bëjnë punën e historianit, punë për të cilën jo rrallë herë nuk e kanë haberin. Një shembull tjetër do të ishte anatemimi që i bëhet analistëve dhe gazetarëve të mediave mainstream nëpër blogjet alternative. Në vend se të analizojnë më thellë problemet e përditshme, mungesën e lirisë, opresionin që ushtrohet nga politika e nga biznesi, bloggersat merren me viktimat, analistët e opinionistët që nxjerrin bukën e gojës duke folur në emër të shefit, ashtu siç marangozi sharron për të prodhuar dollapin që do të shesë, e jo të tijin. Megjithatë shtimi i numrit të blogjeve e të atyre që i lexojnë është një shenjë që nuk mund të keqkuptohet sa i përket trendit mediatik në Shqipëri. Nuk janë të pakta gazetat zulmëmëdha që në fakt kanë më pak lexues se sa disa prej blogjeve. Arsyeja është e kuptueshme, blogjet i kanë rezistuar presionit politik, apo atij të biznesit. Por sërish Shqipëria mbetet një vend me akses të kufizuar në internet (me gjithë moshën virtuale elektronike të kryeministrit). E vetmja mënyrë efektive që ndërgjegjësimi, lajmi dhe edukimi të përhapet në masat e gjera do të ishte bashkimi i përpjekjeve të aktivistëve të medias alternative (bazuar tek platformat e tek bindjet e përbashkëta), e realizimi i produkteve më të arritshme për grupet e ndryshme që mund të jenë në fokus.

Komento shkrimin