Mediat shqiptare dhe depresioni ekonomik

shkruan Belina Budini

Në një moment tjetër si ky i një gushti të plogësht, aktivizuar plotësisht si “insider” në ngastrën mediatike shqiptare, një “oficer” i mediave zor se gjen komoditetin dhe adrenalinën e nevojshme për t‘u futur në një debat me kolegët mediatikë të sektorit të analizës dhe opinionit, duhet pranuar disi më të ngeshëm. Edhe pse gjeografitë postmoderne të shtypjes së kohës dhe hapësirës nuk shkojnë kaq larg sa të na lejojnë një përthyerje precize të realitetit siç do të kishte qenë në rrethana të tjera, kam bindjen se, “kapur” në ritualet mediatike prej “oficeri” të shtypit, kjo mbasdite e vonë nuk do kishte shansin të më gjente në shtëpi para laptopit duke tjerrë me nge mendime rreth depresionit mediatik shqiptar. Gjasat janë që depresioni të më kishte mbërthyer edhe mua keqas ndërmjet trysnisë për t‘i rrëmbyer një intervistë atyre të paktëve që “dinë dhe flasin”: Kadaresë apo Dritëroit, axhendës së takimeve të nxituara nga mungesa e kohës me burimet e shkrimit të radhës, hartimit të projektplanit të ideve për të realizuar javën e ardhshme (ndërsa ruaj ca rezerva mënjanë “just in case”) dhe nga ana tjetër, kokëçarjeve për vonesën e stërzgjatur të rrogës mujore, negociatat e vështira të sigurimit të një makine për reportazhin në Shkodër (një makinë ka redaksia, s‘ka naftë, shoferi ka lënë punën pasi e gjobitën me dy rroga mujore…) dhe plot andrallave të tjera nga stina e mërzitshme në “Olimpin” e mediave…

Ndaj disa nga rezervat dhe kritikat e analistëve në lidhje me krizën mediatike shqiptare, por nuk do të doja të bija në kurthin e konkluzioneve tepër të lehta. Lexuesit dhe shkruesit e specializuar si Nano dhe Nazarko sigurisht që kanë kërkesa elitare për standardet mediatike dhe është mëkat që nuk gjejnë materiale të vlefshme për të konsultuar, të paktën në shtyp. Duhet thënë se vetë spektri i analizave dhe komenteve është rëndom periferik, ndërsa janë të rralla investigimet e pavarura, reportazhet me stil, raportimet e zhdërvjellëta politike, kritikat e specializuara për botimet, teatrin, kinemanë… Por të ndalesh në sipërfaqen e kësaj tabloje, e cila nuk duhet uniformizuar asesi (ka plot nuanca dhe dallime në tregun mediatik shqiptar), pa kërkuar të lexosh përtej saj, është mëkat edhe më i madh. Aq më tepër kur je apo ke parë se si është të jesh aty “brenda”. Edhe pse jo të gjitha problemet e performancës që mora në “revistë” pak më lart janë të lidhura me krizën strukturore mediatike që do të argumentoj më poshtë, një pjesë e mirë e tyre burojnë drejtpërdrejt prej saj.

Duke kaluar nga analiza e performancës tek ajo më strukturore, nuk pajtohem aspak me përfundimin e Nazarkos se gazetarët e sotëm janë më pak të kulturuar se gjenerata e viteve të para të tranzicionit në Shqipëri, pa mohuar që mund të jenë më të rinj në moshë dhe më pak të inspiruar nga liria e fjalës sa pararendësit e tyre të fill pas ‘90-ës. Përkundrazi, do të pohoja të kundërtën në nivel të përgjithshëm. Megjithatë, këto rravgime të përgjithshme do të kërkonin një nivel analize antropologjike dhe kulturore që nuk është detyrë e lehtë për t‘u marrë përsipër pa bazën e të dhënave të nevojshme sistematike… Zhgënjimet për atë çfarë nuk arrijmë të gjejmë për përmbushjen e kërkesave tona të larta në mediat shqiptare nuk do t‘i shihja as të lidhura me argumentin “fashionable” të Nanos se “ata që dinë nuk flasin dhe ata që flasin nuk dinë”. Ku janë ata që dinë dhe nuk duken? Nëse mbeten të padukshëm në agorën mediatike, ku janë ata në arenën e debatit akademik, shkencor apo të arteve? Veprat e tyre do të mos i kishim humbur po të ekzistonin. Nëse “të ditshmit” nuk flasin, është njëlloj si të mos dinë për ne. Për ata mund të jetë e mjaftueshme që dinë për veten, por për shoqërinë e informacionit kjo me sa duket nuk mjafton. Këtu mund të kërkohet përgjegjësia edhe te media që nuk i gjen vlerat aty ku janë, përtej lehtësisë së atyre që ofrohen vetë, por reporterët shqiptarë nuk e kanë aspak të lehtë t‘u “vjedhin” ndoca fjalë “gojëkyçurve” të mbyllur në kullat e tyre të fildishta…

Problematika duket se është më e shtresëzuar se kaq. Pa dashur të shkelim në terrenin e rrëshqitshëm të teorive “konspirative” dhe shpesh radikale të frymëzuara nga Chomsky, të cilat i ka eksploruar vazhdimisht analisti Fatos Lubonja, nuk mund të evitojmë kontributin analitik të ekonomisë politike të masmediave kur vjen fjala për të gjetur përgjigjet dhe shkaqet e këtij depresioni mediatik që ka mbërthyer ekonominë dhe stafet mediatike në Shqipëri. Ndërsa mediat, ashtu si demokracia shqiptare, sipas pritshmërive të studiuesve të Tranzitologjisë dhe Konsolidologjisë, duhet të kishin mbërritur tashmë fazën e konsolidimit, së paku në bazë të përllogaritjeve kohore, përkundrazi vazhdojnë të përjetojnë jo vetëm një tranzicion të zgjatur pa transformime rrënjësore, por edhe një fazë përpëlitjeje të vërtetë për të mbijetuar në treg. Formalisht të njohura me ligj si institucione të lira dhe të pavarura, shumë media në Shqipëri nuk mund të thuhet që janë sendërtuar ende si institucione në vetvete. Në kontekstin shqiptar dhe kur plot agjenci të tjera shoqërore notojnë në situata po kaq primitive, mund të duket e tepërt të kërkosh rikonfigurim strukturor.

Por fakt është që shumë pronarë mediash i kanë konceptuar dhe vazhdojnë t‘i menaxhojnë agjencitë e tyre të “fjalës së lirë” si ndërmarrje familjare me gjithë primitivitetin që i karakterizon struktura të tilla. Media si këto në Shqipëri janë të ngjizura për të qenë “provinciale”. Ato nuk mund të shkojnë shumë larg vizionit të pronarëve të tyre, pasi nuk funksionojnë në nivel hierarkik të shtresëzuar ku “ngastrat” janë të ndara dhe secili punon të vetën, pasi e gjitha të jetë parcelizuar në struktura drejtimi, menaxhimi, editimi të cilat bashkëpunojnë por nuk janë të shkrira në një, në emrin e një pronari të vetëm. Këtu e ka zanafillën provincializmi i një pjese të mirë të shtypit shqiptar, që nuk mund të mos reflektohet edhe në nivelin e performancës kur “ushtarët” janë nën presionin e drejtpërdrejtë sistematik të “gjeneralit” dhe jo normalisht të udhëheqësit profesional: “oficerit” apo “komandantit të skuadrës”. Nuk mund të mos lexohet përgjegjësia këtu edhe në anën e stafeve profesionale, të cilët u janë nënshtruar rregullave të këtyre “ekonomive fshatare” dhe pak përpjekje ka pasur për të iniciuar një lloj modernizimi dhe zhvillimi në këtë pikë nëpërmjet formave të organizuara të presionit dhe lobimit.

Këto ekonomi të vogla “fshatare” kanë redaksi të përbëra nga jo më tepër se 15-20 gazetarë në maksimum, kur shtypen me së paku 24 faqe në ditë. Investimet për formën dhe përmbajtjen pothuajse mungojnë, të paktën në tregun e shtypit të shkruar, ndërsa ai elektronik ka njohur disa zhvillime modernizuese. Drejtuesi i gazetës “Shqip”, Besnik Myftari, me të drejtë përvijonte një tablo të ngjashme të errët të ekonomive të mediave sot në Shqipëri. Përveç problematikës së rrjetit të shpërndarjes, sistemi kapet shpesh edhe nga ngërçi i bazës materiale, pasi pronarët me shumë sforco ia dalin që të paguajnë koston e letrës, duke shtrënguar shpesh produktin në cilësi dhe tirazh. Më të varfra se kaq nuk bëhen më këto mediat tona të dashura, pa të cilat jeta do të ishte edhe më e trishtë, megjithatë! Duke iu rikthyer nivelit të performancës, ndërsa të gjithë jemi aq të dëshiruar për cilësi dhe profesionalizëm, si zor e kam të kuptoj nga mund ta gjejë grintën e nevojshme ai “ushtari” i 15-të i gazetës që ka dy faqe çdo ditë për të mbushur “profesionalisht” korrekt, “konceptualisht” të sofistikuara, “kulturalisht” në top, “estetikisht” të pasura…

Në analizë të fundit, edhe pse konstatohet lehtësisht se tregu ende i pakonsoliduar i mediave në Shqipëri nuk i përmbush pritshmëritë e më liberalëve për efikasitet, duhet thënë se ky treg na ka siguruar një premisë të mirë demokratike. Në sajë të mekanizmave të interesave të ndryshme të luajtura në të, kemi një spektër mediash të larmishëm deri diku, pasi nuk mungojnë pikëpamjet e ndryshme dhe diversiteti, ndërsa shikohet që është gjithnjë e më e vështirë për disa të vërteta të manipulohen në mënyrë dominuese, pa dalë diku në dritë të diellit. Mekanizmi i konkurrencës ka rregulluar gjithashtu mjaft nga problemet e performancës së shtypit të viteve të para të tranzicionit, i cili, megjithëse mund të ketë pasur karakteristika pozitive në frymë, në nivel profesional ishte mizerabël dhe një mish-mash opinioni e informacioni i denjë për gazetarinë në kushtet e luftës. Nuk duhet harruar se misioni i shtypit të gazetarëve-botues të këtyre viteve të paqarta dështoi plotësisht pasi iu nënshtruara piramidave dhe mediat sot ende vuajnë pasojat e një paragjykimi publik që buron nga kjo periudhë e errët e media-politikës në Shqipëri. Zhvillimi i botës mediatike shqiptare sot është thelbësor dhe i dukshëm në sajë të marrjes në dorë të punëve të menaxhimit nga menaxherët. Është i pamohueshëm gjithashtu hovi cilësor i mediave në raport me shtypin e para ‘97-ës, hov që buron nga gara e ethshme në treg për të fituar lexues apo audiencë, gjë e cila përkundër kritikave elitiste ndaj komercializmit dhe banalizimit, është i vetmi garantues i mbijetesës financiare në përputhje me përmbushjen e kërkesave dhe nevojave të shprehura e të matshme të publikut masiv.

Për pasojë, në vend që ta shoh shtypin dhe mediat në Shqipëri në përvjedhje të misionit të vet, siç bën analisti Nano, apo të zhytur në një krizë kryesisht performance, siç bën analisti Nazarko, mendoj se theksi duhet vënë te problematika e infrastrukturës ekonomike të këtyre mjeteve të komunikimit që nuk janë as pa mision, as më të varfra në cilësi sesa çdo produkt tjetër i shërbimeve shoqërore të paskomunizmit në Shqipëri. Madje mediat janë dukshëm në avangardë përballë strukturave politike apo institucioneve shëndetësore në vend, sa për shembull. Rrethanat dhe konteksti shqiptar hedhin më tepër dritë në këtë tablo të zymtë. Kësisoj, në kushtet e një niveli tepër të ulët të ekonomive në vend, shtypit dhe mediave në përgjithësi u mungojnë arteriet kryesore jetësore që janë të ardhurat e mjaftueshme nga reklamat, ndërsa çmimi i veçanërisht disave prej tyre mbetet tepër i lartë për standardet shqiptare të jetesës (krahaso me SHBA apo Angli ku tregu mediatik është edhe më i lulëzuari) me qëllimin që të mbulohen kostot deri në një farë mase. Në këto kushte krejt të pafavorshme dhe jorentabël, pronarët e mediave do t‘i shihja më me dashamirësi si “Don Kishotë” (jo në konotacionin negativ që i dha soc-realizmi shqiptar kësaj figure të përbotshme) që bëjnë përpjekje titanike për të mbajtur në këmbë ekonomitë e tyre të vogla “të familjes” dhe ushtrinë e stafeve mediatike si heronj të bukës (lexo gazetës) së përditshme, që performojnë shumë më mirë sesa ua mundëson infrastruktura e sotme e shtypit. Mëkatarë ka në të dyja kampet plot, por mëkatet më satanike i mbartin “bosët” e mediave.

Kjo problematikë strukturore që buron nga “pronarët” e mediave në Shqipëri dhe që, më shumë sesa raportimi i stërholluar, ia ul kreditet shtypit dhe mediave në vend, është paralelizmi “vullnetar” dhe fare i trashë i shumë syresh me pushtetin ose segmente të tij. Në këtë mënyrë disa nga bosët e mediave u mohojnë produkteve të tyre frymëmarrjen jetike të balancës dhe objektivitetit deri edhe së paku në nivel formal e të kamufluar. Në këtë mënyrë, një pjesë e mediave shqiptare, të paafta për t‘u sendërtuar si institucione mëvetësisht, shpesh e kanë të humbur betejën edhe si aktorë seriozë përballë politikës, së cilës nuk arrijnë t‘i dredhojnë e aq më pak ta kolonizojnë atë, siç vërehet të ndodhë në botën perëndimore të mediave - jo pa u parë me dyshim edhe ky rol. Shpesh dëgjohet të thuhet që “establishmenti” është veçanërisht i interesuar t‘i mbajë mediat shqiptare në këto hulli dhe bën të gjitha përpjekjet për ta arritur këtë. Kjo teori konspirative mund të përmbajë edhe ca të vërteta, por nuk justifikon dorëzimin e mediave për të dalë nga ky batak dhe për të marrë rol më të rëndësishëm si aktorë seriozë në sferën publike. Për këtë u duhet së paku dhe si fillim ta marrin veten më seriozisht. Nuk mjafton të rrish në vend duke konsumuar arritjet e vogla. Është koha që mediat shqiptare të konsolidohen si institucione të mirëfillta dhe serioze. Është koha për një start të ri që ndoshta do të përkthehej në seleksionim dhe falimentim për shumë nga agjencitë mediatike, por në mëkëmbje dhe stabilitet të më konkurruesve dhe më dinjitozëve. (Shqip)

Komento shkrimin

Ju mund te perdorni shenja XHTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <blockquote cite=""> <code> <em> <strong>