Media në Shqipëri, dominon autocensura

nga Bledar Hoti
Ky është qëndrimi i bërë nga organizata e njohur prestigjioze “Freedom House”, në paraqitjen e raportit vjetor që u publikua parmbrëmë në Uashington. Shtypi është pjesërisht i lirë dhe se është në presionin politik dhe ekonomik, si dhe gazetarët nuk i njohin të drejtat e tyre dhe autocensura është një dukuri mbizotëruese. Mes 195 vendeve, raporti e rendit Shqipërinë në vendin 105-të për sa i përket lirisë së medias në vend për vitin 2007. Sipas “Zërit të Amerikës” të seksionit shqip, në raport thuhet se, “qeveria e kryeministrit Sali Berisha ushtroi presion ndaj medias me prirje pro-opozitare gjatë gjithë vitit 2007, duke i akuzuar ato, pa i përmendur me emër se kishin marrë fonde nga grupe të krimit të organizuar”. Karling Karleker, studiuese dhe përgjegjëse e raportit të “Freedom House”, duke folur për VOA-n thekson se, “gjendja e shtypit në Shqipëri ka qenë pothuajse e pandryshuar gjatë viteve të fundit”. “Duket se çfarëdo reformash që ishin marrë në këtë drejtim kanë ngecur në vend. Nga njëra anë janë vënë re problemet e shkaktuara nga qeveria dhe një farë mungese vullneti për të përmirësuar gjendjen ligjore. Nga ana tjetër shihen vazhdimisht probleme me autocensurën. Një nga problemet më të vështira për t’u zgjidhur pasi shpesh gazetarët as nuk e pranojnë se po ushtrojnë autocensurë”, deklaroi ajo. Karleker shprehet se, këto probleme e kanë shqetësuar Shqipërinë prej kohësh, dhe në vitin 2007 nuk pati ndonjë përmirësim. “Freedom House” citon se, liria e informimit është e garantuar në Kushtetutë, por zyrtarët shpesh u rezistojnë kërkesave të medias. Gazetarët nga ana e tyre nuk u shkojnë deri në fund kërkesave të tyre dhe në përgjithësi nuk i njohin të drejtat e tyre ligjore. Media në Shqipëri vazhdoi të paraqiste një larmi këndvështrimesh në vitin 2007, por organet kryesore patën prirjen të mbështesnin ose njërin grupim politik ose tjetrin. Gazetarët përdornin autocensurën për të mbështetur interesat politike ose ekonomike të punëdhënësve të tyre. “Organet kryesore patën prirje në 2007 të mbështesin grupimet politike dhe grupet e interesave megjithëse pati një përmirësim në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar. Organet e medias së shkruar kanë lidhje të hapura me partitë politike dhe grupet e interesave. Televizionet kryesore ndërkohë ndiejnë presionet e kompanive që japin reklama. Mungesa e transparencës për pronësinë dhe financimet ekspozon median ndaj akuzave të bazuara të ndikimit nga bota e krimit. Shumë gazetarë në Shqipëri punojnë pa kontrata”, thuhet në raport.

Kontratat e punës

Sipas raportit, shumë gazetarë në Shqipëri punojnë pa kontrata, duke shtuar pasigurinë për vendin e punës dhe duke inkurajuar autocensurën. Të gjitha mediat kanë vështirësi të depërtojnë në zonat rurale, për shkak të infrastrukturës së dobët dhe problemeve ekonomike. Një gjë e tillë prek veçanërisht internetin, të cilin e përdor rregullisht afërsisht vetëm 13 për qind e popullsisë.

Pikat e raportit

• Mes 195 vendeve, Shqipëria radhitet në raport në vendin e 105
• Shtypi në Shqipëri vazhdon të jetë pjesërisht i lirë dhe nën presion politik dhe ekonomik
• Gazetarët në Shqipëri nuk i njohin të drejtat e tyre
• Një pjesë e mirë e gazetarëve punojnë pa kontratë
• Televizionet kryesore kanë më shumë fitime, por ato ndjejnë presionin e kompanive kryesore që japin reklamat
• Tregu i radiove mbizotërohet nga muzika dhe emisionet zbavitëse
• Vetëm katër nga 40 stacionet japin lajme origjinale

(G. Panorama)

Komento shkrimin

Ju mund te perdorni shenja XHTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <blockquote cite=""> <code> <em> <strong>