Kriza e mediave, konstatimi dhe zgjidhjet
shkruan Bardhi Sejdarasi
Mbase duhet ta kishim hedhur më parë dhe më shpesh vështrimin në “kopshtin” tonë, atë të medias së shkruar dhe audiovizuale. Tri vitet e fundit kanë sjellë mjaft prova të pakundërshtueshme se ngërçi mediatik është tashmë një fazën e parë të një krize të dukshme, disa herë agresive, me humbje që pasqyrohen në balance të dyshimta dhe me një reputacion përherë në rënie. Analistë të njohur kanë rendur ta konstatojnë këtë nga këndvështrimi i tyre mediatik. Por thelbi është më i thellë. Shkaqet janë shumëpërmasore dhe analiza e tyre ka munguar. Vetëm kemi konstatuar, pa vënë dorën në “plagë”.
Ngërç dhe pastaj krizë
Parë në aparencë, media shqiptare të lë këtë shije që duket. Duke iu referuar pastaj treguesve studimorë, mund dhe duhet të nxjerrësh konkluzione të sakta. Dy institucione të respektuara private kanë që nga viti 2006 që fokusojnë zhvillimin/rënien e tregut mediatik. Në fillim Instituti i Sondazheve dhe Opinioneve (ISO) dhe më pas Qendra e Kërkimeve Monitor (QKM) janë vëzhguesit më profesionalë të tendencave reale të shtypit të shkruar dhe tij audiovizual dhe studimi i tyre disavjeçar nuk lë hapësirë për ekuivok. Sipas studimeve të tyre (dhe që duhen pranuar pa asnjë kundërargument) shtypi i shkruar është në prag falimentimi të plotë. Në një tirazh maksimal prej 40 mijë kopjesh në ditë, të ofruar nga 20 tituj të përditshmesh, raporti i përdorimit të medias së shkruar është 20/1000, pra 20 gazeta për 1000 banorë në ditë. Ky është, sipas studimit, nivel ndër më të ulëtit në botë i përdorimit të shtypit. Po t‘i shtosh kësaj edhe faktin se vetëm 4 gazeta ditore sigurojnë 80 % të tregut të medias së shkruar, kupton mirë se cili është niveli i përdorimit të 16 gazetave të tjera të përditshme në Shqipëri!?
Këta tregues, të verifikuar profesionalisht, të japin idenë e plotë të gjendjes së sotme të shtypit në vendin tonë. Po le të mos mbetemi vetëm te statistikat dhe studimi trevjeçar i institucioneve studimore të mësipërme. Le ta shohim media-n si biznes, sepse ajo është e tillë.
Biznesi, që vjen nga diversifikimi i portofolit
Në të 20 titujt e medias së shkruar aktuale nuk gjen asnjë prej tyre të vetëfinancuar, pra që të sigurojë të ardhura dhe shpenzime të balancuara. Pavarësisht informalitetit në bilance, në punësim etj., pavarësisht borxheve të mbartura në vite ndaj shtypshkronjave, importuesve të letrës dhe studiove të dizajnit, pavarësisht nivelit të arkëtimeve nga shitjet, gazetat aktuale mbijetojnë për një arsye të thjeshtë: pronarët e tyre paguajnë mbijetesën duke rialokuar fonde të konsiderueshme financiare nga biznese të tjera rentabël, pra duke ulur normën e fitimit te bizneset fitimprurëse. Nuk kuptohet qartë se përse bëhet kjo, por argumentet e shprehura për ta përdorur shtypin si “kobure” ndaj qeverisjeve për më shumë përfitime individuale, nuk kanë ndonjë bazë ekonomike. Në Shqipëri, diversifikimi i portofolit financiar të botuesve të shtypit do të vazhdojë të ekzistojë për sa kohë informaliteti do të jetë “sheshit”, për sa kohë burimet e financimit nuk identifikohen dhe dukuritë e mashtrimit, evazionit dhe shmangies fiskale do të jenë evidente dhe vështirësisht të pakontrolluara nga entet shtetërore përgjegjëse. Kur kjo të mos ekzistojë, do të kemi një dukuri të re: Nuk do të kemi 20 të përditshme, por vetëm 4 ose 5 të tilla, të cilat do të përpiqen të balancojnë të ardhurat me shpenzimet. Por kjo do të dojë kohën e mjaftueshme, sikundër ka ndodhur në vendet rreth nesh, apo kudo në Perëndim.
Pse kjo gjendje? Dhe disa zgjidhje
Gjendja është e tillë, sepse, në ndryshim nga tregjet e tjera të ekonomisë së lirë, tregu i mediave të shkruara nuk ka funksionuar si i tillë. Ky treg është identifikuar si tregu më informal, që ka punuar gjithmonë me dy balance, që ka numrin më të madh të punonjësve të pasiguruar (që punojnë në të zezë) dhe kontributin më minimal në skemën e taksës së punës. Ky treg nuk është kontrolluar asnjëherë, sikundër kontrollohen të gjitha tregjet aktuale, për vetë specifikën që ka media, por edhe për faktin se qeverisjet nuk e kanë dëshiruar kundërvënien me “pushtetin e katërt” (përjashto selektivitetin, kur i është dashur qeverive për të bërë presion). Ky treg është kontribuesi më i vobektë në arkën e shtetit, jo se nuk ka dëshirë, por sepse është karakterizuar nga një treg me humbje të vazhdueshme financiare dhe me pamundësi të sigurimit të fitimit. Mbijetesa e tij nuk ka qenë asnjëherë e garantuar ekonomikisht, por ka qenë e stisur dhe e stimuluar nga interesa të çastit. Kjo ka qenë arsyeja kryesore (përveç nivelit të ulët të publicitetit), se përse asnjë investitor i huaj nuk i ofrohet investimit në median e shkruar shqiptare, sikundër ka ndodhur pothuajse në të gjitha vendet rreth nesh.
Qeverive duket se iu ka interesuar ecja “me brekë nëpër këmbë” e shtypit të shkruar. Ato nuk kanë tentuar asnjëherë në 15 vitet e fundit të formalizojnë këtë treg, të formalizojnë burimet njerëzore që furnizojnë atë, apo edhe të ndikojnë me politika të veçanta fiskale për të stimuluar një treg të shëndoshë mediatik.
Ana tjetër e medaljes: Edhe vetë aktorët e tregut të shkruar mediatik nuk kanë mundur të jenë imponues, për të siguruar incentiva në favor të biznesit të tyre. Vini re si hiqemi zvarrë nga njëri vit në tjetrin për të siguruar shpërndarjen e produktit “gazetë”. Sipas studimit të mësipërm, 68,9 për qind e ndjekin shtypin e shkruar nëpërmjet konkurrentit të tij më të ashpër, televizionit, por vetëm 16 për qind e tyre e blejnë atë. Media e shkruar nuk arrin të shpërndahet në më shumë se 70 për qind të territorit të vendit, duke sjellë humbje të konsiderueshme financiare, edhe nga ky shkak. Aktorë të njohur mediatike e menaxherë të media-s ia kanë kërkuar këtë qeverive, duke mos e kuptuar se kjo as që llogaritet si prioritet i qeverive, për shkaqet që përmendëm më lart. Vetë bizneset e medias së shkruar nuk kanë sot në dorë një studim për tregun e tyre, për (mos)performancën e tij, për nevojën e rritjes dhe zgjerimit të shpërndarjes dhe kostot e tij. Tentativat e disa viteve më parë për një treg unik distribucioni dështuan, duke ia lënë vendin krijimit të disa agjencive të keqmenaxhuara të shpërndarjes, që kanë kosto të lartë shërbimi, mungesë vizioni dhe cilësi të dobët. Nuk u tentua të krijohej një ndërmarrje unike, ku biznesi të financonte realizimin e shërbimit të distribuimit dhe qeveritë të siguronin të paktën mbulimin e interesave të kredive nga bankat për të siguruar asetet e nevojshme të kësaj ndërmarrjeje. Kjo do të ishte një rrugë e efektshme në fazën e parë të ngritjes së kësaj ndërmarrjeje me kapitale të përbashkëta të të gjithë të interesuarve, sipas tirazheve dhe nevojës për distribuim. Afërmendsh se qeveria do të krijojë ndërmarrje shtetërore të shpërndarjes së shtypit, por mekanizmat ekonomikë e financiarë mund e duhet të diskutohen!
Brenda vetes
Vetë biznesi i shtypit të shkruar ka paguar “haraçin” e keqmenaxhimit. Do të isha dakord me shkaqet profesionale të krizës, që paraqet në analizën e tij z. Nazarko. Por jo plotësisht. Nazarko ka një përvojë nga dy gazetat e tij, që tashmë mungojnë në treg. Shkaqet gjenden më thellë. Nuk mbetet e keqja te “proletarët” apo “ushtarët e shtypit”. Këta të fundit duhet të orientohen në treg. Shefat e tyre, apo “gjeneralët e mesëm” dhe “gjeneralët e lartë”, siç i pëlqen t‘i thërrasë analisti Nazarko, mbetën “ala ke ura”. Ata vozitin nga një media te tjetra, pa mësuar një art të ri, përveç atij të “gjeneralit”, artin e menaxhimit të medias. Ata nuk iu “kundërvunë” televizioneve, internetit, forumeve “blog” etj., për t‘i orientuar “proletarët” te gjetjet e reja, produktet që shiteshin më mirë sesa lajmet televizive. Ata nuk shkuan asnjëherë tej “revistave televizive”, duke mos sjellë asnjë të re në shtypin e shkruar, përkundrejt kolegëve televizivë, që teknologjia moderne iu jep avantazhe audience. Pronarët e mediave vazhdojnë të riciklojnë këta “gjeneralë”, duke iu faturuar humbje miliona dollarësh bizneseve të tyre.
Por diçka duhet të ndryshojë edhe në strukturën e mediave të shkruara. Konsumatorët presin më shumë nga gazetat, por edukimi i tyre nga media ka qenë disproporcional. Sondazhet tregojnë se 72 për qind e atyre që blejnë gazeta pohojnë se titujt lidhur me ngjarje politike i shtyjnë të blejnë një gazetë. “Gjeneralët” e shtypit të shkruar “harruan” të trajtojnë problemet më kryesore që shqetësojnë publikun, si ato që lidhen me buxhetin familjar, ekonominë personale e financat personale. Vini re: Gazetat kryesore nuk nxjerrin aspak apo nxjerrin rrallë në faqen e parë tituj ekonomike, ndërsa gazetarët e këtij profesioni numërohen me gishtat e njërës dorë.
Sipas sondazhit të QKM, “lexuesit pohojnë se ata do të donin të gjenin më shumë informacion në të ardhmen për temat sociale dhe ato ekonomike”, por “gjeneralët” e sotëm të shtypit të shkruar janë inkompetentë për këtë fushë të rëndësishme.
Reklama, tepër larg tirazheve me tre shifra
Një shkak tjetër që duhet evidentuar në këtë krizë potenciale të medias së shkruar ka të bëjë mungesën e reklamës. Biznesi i mirëmenaxhuar nuk mund të humbasë para dhe kohë duke promovuar produkte apo shërbime në një treg ku në 1000 njerëz, vetëm 20 lexojnë gazetë. Kjo është si t‘i hedhësh paratë në lumë! Po a duhet të sigurojë media e shkruar para edhe nga reklama? Nuk mund të ndodhë ndryshe! Nuk mund të ketë, të paktën në Shqipëri, media që siguron bilanc të balancuar vetëm nga shitjet e gazetës. Ajo duhet të shesë edhe sipërfaqe reklame. Por ajo mund të bëjë këtë më mirë se deri më sot, duke i ofruar biznesit jo vetëm sipërfaqe të paguar prej tij, por më shumë informacion, më shumë përvoja biznesi, më shumë akses në teknologjitë e reja të menaxhimit e të të bërit biznes, më shumë profile biznesi të suksesshëm etj., të cilat sot mungojnë. Sot tregut i mungon një media e shkruar ditore profesionalisht e pranueshme nga biznesi. Sot mungojnë treguesit e bursës ndërkombëtare të produkteve dhe shërbimeve, çmimet në tregjet rajonale e evropiane, ku bizneset shqiptare ushtrojnë veprimtarinë e tyre të sipërmarrjes. Një biznes mund të blejë gazetën dhe mund të reklamojë tek ajo, nëse vërtet gjen diçka të vlefshme për sipërmarrjen e tij. Nëse do të reklamojmë birrën te gazeta e birrës, pallatin te gazeta e pronarit të pallatit, supermarketin, te gazeta e pronarit të supermaketit, apo shërbimin e celularit te gazeta që mbahet me paratë e pronarit të celularit, e kemi davanë e humbur. Tregu është i cunguar, jo konkurrues dhe rrjedhimisht i dështuar…
Ka dritë në fund të tunelit!?
Doemos! Pronarët mediatikë duhet ta vështrojnë produktin e tyre jo si “kobure”, por si çdolloj biznesi, që duhet të ekzistojë nëse siguron fitim dhe mban veten. Pronarët mediatikë duhet të largohen nga riciklimi i “gjeneralëve” dhe t‘u ofrojnë atyre punë e tituj mbi bazën e plan-biznesit të medias që zotërojnë. Siguron fitim dhe mbijeton në treg, je “general” i mirë, përndryshe shit banane! Pronarët e mediave të shkruara duhet të paguajnë bashkërisht realizimin e një studimi të tregut të mediave, për të parë ku janë dhe ku duhet të jenë. Milionat e hedhura deri më sot, edhe duke gënjyer qeveritë me evazion fiskal, do t‘iu dhimbsen një ditë. “Bosët” nuk do të jenë të tillë në fushën e medias, nëse nuk i ofrojnë tregut të ri mediatik, atë që kërkon koha, të ndryshme nga ajo që ofrojnë sot, të pakonkurrueshme nga aktorët e tjerë mediatikë, si televizionet dhe madje, nëse nuk investojnë vetë në burime të spikatura njerëzore në fushën e medias, të ndryshme nga “riciklimet” e gjeneralëve dhe madje larg produkteve gazetareske të disa shkollave të profilit në Shqipëri që spikatin nga cilësia e të paqenit shkollë gazetarie. Po për televizionet? As që mund të mendohet se kanë më pak probleme se media e shkruar, por aktualisht kanë më shumë para. Edhe pse me balance ekonomike negative… (Shqip)

Komento shkrimin