Fillimi i fundit të medias klasike

shkruan Idaver Sherifi
Deri dje (te ne akoma) zyrave të gazetave, televizioneve dhe radiove dëgjoheshin muhabete të llojit “E botojmë këtë shkrim?. Jo, nuk e botojmë. E botojmë por pa këtë fjali. E transmetojmë por pa këtë pjesë…”.

Rastin e botimit të videos së ekzekutimit të ish-diktatorit irakian Saddam Hysejin, të gjithë e vlerësuan nga këndvështrimi i tyre. Dikush, këtë akt e vlerësoi si papërgjegjësi të autoriteteve irakiane të cilët nuk morrën masat e nevojshme për parandalimin e regjistrimit me celular të aktit, dikush tjetër si veprim të planifikuar të SHBA-ve për të treguar se si përfundojnë ata që janë kundër tyre, dikush si hakmarrje të liderit të njërit prej grupimeve më të mëdha shiite, Mukteda El-Sadr, e dikush në mënyrë tjetër.

Jo vetëm kaq, juristët e shikuan nga këndvështrimi i të drejtës, mbrojtësit e të drejtave të njeriut në aspektin e të drejtave të njeriut, politikanët dhe ushtarakët bënin llogaritjen e pasojave nga ky skandal, etj, etj.

Ndryshe nga të gjithë këto këndvështrime, gazeta e njohur angleze Observer, e vlerësoi rastin e publikimit në internet të pamjeve të ekzekutimit të Saddam Hysejnit nga këndi i medias. Observer këtë rast e quan si “fundi i kontrolit editorial”, por unë do e quaja “fillimi i fundit të perandorisë së medias klasike”.

Tashmë nuk është kryeredaktori i gazetës, radios ose televizionit ai i cili vendos se çka, sa dhe si do të publikohet një lajm. Aktualitetin tashmë nuk e vendos kryetitulli i gazetës apo lajmi kryesor i edicionit të lajmeve por një pamje disa minutëshe e publikuar në internet, e cila pas publikimit bëhet lajmi kryesor i medias dhe vendos aktualitetin. Ky fakt duket si i pamundur por rasti i publikimit të pamjeve të ekzekutimit të Saddam Hysejin-it dhe disa rasteve të tjera e vërtetojnë këtë.

Deri dje (te ne akoma) zyrave të gazetave, televizioneve dhe radiove dëgjoheshin muhabete të llojit “E botojmë këtë shkrim?. Jo, nuk e botojmë. E botojmë por pa këtë fjali. E transmetojmë por pa këtë pjesë…”. Botuesit ishin pronarët dhe rojet e fjalëve që duhej dhe atyre që s’duhej të thuheshin. Jo se dikush ua kishte dhënë këtë detyrë por “dehja” nga pushteti i pafund që u kishte dhënë fuqia e medias i kishte bërë ata t’ia njihnin vetes këtë privilegj. Ata monopolizuan fjalën, ata përcaktonin se çka duhet të dëgjojnë dhe lexojnë njerëzit e çka jo!

Tani, kur njerëzit kanë filluar që në vend të presin akrepin e orës të tregojë orën e plotë për të shikuar edicionin e lajmeve ose ditën e nesërme për të blerë gazetën dhe për t’u informuar me atë se çka ndodhur në botë, ata hapin internetin dhe lexojnë atë që duan, në kohën kur duan dhe aty ku duan pa harxhuar asgjë dhe pa qenë i detyruar të presin orarin e caktuar nga dikush tjetër.

Këto avantazhe kanë bërë që njerëzit të drejtohen nga burimet e reja të informimit, siç është interneti. Rritja e shpejtë e përdoruesve, shpejtësia e marrjes së informacionit, kostoja e ulët, mundësia për të gjetur atë që kërkon janë vetëm disa nga gjërat që e kanë bërë internetin burim kryesor të lajmit.

Këtë fakt duhet ta ketë kuptuar shumë mirë CEO i njërës nga gazetat më të njohura amerikane Los Angeles Times, David Hiller, i cili para dy ditësh paralajmëroi ndryshimet që do të pësojë kjo gazetë. Sipas Hiller, Los Angeles Times për herë të parë do të fillojë publikimin e lajmeve të minutës së fundit në faqen e tyre të internetit dhe do të bëjë një gazetari me qendër internetin, ndërsa gazeta e shtypur në vend të lajmeve do të përmbajë më shumë analiza. Ndryshimet në strategjinë publicitare të Los Angeles Times, sipas Hiller, mbështeten në ndryshimin e preferencave të lexuesve dhe kërkesat e reklamdhënësve.

Blerja nga Google me një çmim rekord 1.6 miliardë dollarë e njerit prej sajteve më të vizituara në botë, YouTube.com (faqja ku u botuan videot e ekzekutimit të Saddam Hysejin-it), ishte një veprim që i bëri të gjithë të kthejnë kokën nga interneti dhe të mundohen të zënë vend në këtë botë virtuale sepse koha tani ka ndryshuar. Kanë ikur ditët kur edhe TV-ja pa ngjyra kishte një masë shikuesish të pasionuar.

Tani është koha e internetit dhe medias së internetit. Monopoli i medias klasike është drejt fundit. Ata që duan të botojnë një shkrim në gazetë, përgjigjes së editorëve “E botojmë por duhet hequr kjo fjali…” tani u përgjigjen me “Nejse, ju dini. Shkrimi tashmë është botuar. Nëse doni shkrimin tim e gjeni në adresën http://www…”.  (Albeu.com)

Komento shkrimin

Ju mund te perdorni shenja XHTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <blockquote cite=""> <code> <em> <strong>