Media si shoqëria

shkuran: Eva Allushi

Drejtues të mediave në Shqipëri, reporterë, shefa lajmesh, gazetarë të thjeshtë, botues etj., i janë kthyer debatit mbi vetveten. Kjo tregon një fazë pjekurie e reflektimi, por njëkohësisht dhe nevojën për të ndryshuar.

Padyshim, të gjithë argumentet rëndues apo dhe lehtësues mbi shpinën e misionarëve të fjalës, qëndrojnë. Dhe kështu nuk gjykoj për oportunizëm.

Pa mbërritur ende te thelbi i problemit, dua të them nja dy fjalë për metodikën e ndjekur në analizat apo studimet që kryhen sot mbi kategori apo pjesë të ndryshme të shoqërisë.

Për politikën, drejtësinë, biznesin apo dhe mediat, gjithmonë hedhim vështrime parciale dhe çështjet i gjykojmë ngushtë. Jo se bëjmë ndonjë gabim të madh, apo nuk thuhet e vërteta në këtë rast. Çështja që duhet të na shqetësojë është se përfundimet nuk ndihmojnë për të arritur kund, e jo më për të dhënë ndonjë zgjidhje.

Shkurt po them se rrënjët e qëndrimit, të sjelljes së medias nuk fillojnë e mbarojnë te botuesit, te tenderat, te presioni i politikës; padyshim të gjithë këta elementë janë pjesë e gjësë, po jo gjithçka. Duhet të mësohemi t‘i hedhim sytë më shumë te shoqëria jonë, te tradita e ndërtuar dhe te historia e re që po përpiqemi të ndërtojmë sot.

Shoqëria shqiptare ka ende një konstrukt shumë të dobët, prioritete të paqarta, ajo është anemike, nuk reagon dhe vepron, segmentet e saj janë si hekuri i dobët që përdorin ndërtuesit për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe. Krahasimi ndoshta jo shumë i goditur, gjithsesi rreket ta tregojë rëndësinë dhe riskun e dobësive që mbart shoqëria shqiptare. Në këtë lëngatë të gjatë, e cila pa dyshim nuk mund të ngërthejë kurrsesi vetëm 17 vjet, pasi shkaqet e pasojat janë veçanërisht historike, pra në këtë dertje nuk mund të kërkojmë një shtet të fortë me kolona të fuqishme e të pavarura, ku padyshim media është njëra prej tyre.

Sot, të gjithë të eklipsuar nga protagonizmi pa rendiment i politikës, pak ndalen në atë që është apo që duhet të ishte pjesa më e qëndrueshme, më solide, që quhet shoqëri civile. Sa më imponuese dhe e ndërgjegjshme për misionin e vet që të jetë shoqëria civile me mekanizmat e saj, organizatat jofitimprurëse etj., pra sa më e organizuar dhe gjithëpërfshirëse, aq më e kujdesshme do të ishte politika, aq më transparentë politikanët dhe më eficente ekonomia. Dhe padyshim media do të kishte një terren real ku të punonte, do të kishte partnerë për të realizuar një mision që gjithkund, edhe në demokracitë më të zhvilluara, ndesh problemet e veta.

Gjithë kjo parashtresë dhe jo vetëm, nuk u bë për të lehtësuar mëkatet tona, jo, por për të bërë të gjithkujt idenë se çdo gazetar i vërtetë apo i gënjeshtar, çdo mjek i korruptuar ose jo, çdo mësues i aftë apo i paaftë, çdo qeveritar hajdut ose jo, çdo politikan i përgjegjshëm a i papërgjegjshëm, pra të gjithë ne jemi pjesë e kësaj shoqërie me karakteristikat e saj, pra jemi pjesë e një sistemi të caktuar funksionimi. Nëse nuk na pëlqen si shkojnë gjërat, për këtë nuk e kanë fajin botuesit servilë për interesat personale afatshkurtra, as politikanët korruptivë, po përgjegjës, është sistemi, është shoqëria që lehtësisht i adapton këto fenomene, jeton me to dhe nuk reagon t‘i bëjë ato të huaja, dhe së fundmi as nuk i ndëshkon. Sot e gjithë ditën ne nuk mund të kërkojmë heronj që dinë t‘i bëjnë ballë këtij sistemi e që rezulton me shumë plagë deri në kalbje. Shembull për shoqërinë nuk mund të bëhen individët, kjo i përkiste sistemit që lamë pas. Përkundrazi, shembull për individët duhet të bëhet shoqëria.

Ne, punonjësit e medias, nuk duhet të mendojmë se si duhet t‘i bëjmë ballë për shembull Berishës, sepse nesër kur të dalë në pension, mund të na dalë ndonjë tjetër i tillë, pra qëndresa s‘mund të jetë personale. Janë të tjerë mekanizma ligjorë ata që ta garantojnë diçka të tillë, të tillë që funksionojnë në një sistem ku drejtësia funksionon e nuk ndjehet e paralizuar. Sado teorike që mund të duken këto rreshta, bota kështu funksionon, ne na duken të tillë se nuk adaptojmë një mendësi të tillë dhe nuk aplikojmë një sjellje të tillë, madje-madje, na duket naive të mendojmë kështu. Por çdo qytetar, kudo ku ai jeton, është i mbrojtur, i gjykuar dhe i garantuar nga sistemi, të cilin ai e njeh dhe pjesë e të cilit është.

Prandaj, para se të kërkojmë të ndryshojmë mënyrën si punojmë, duhet të ndryshojmë mënyrën se si mendojmë. Nëse do të jemi të vetëm, nuk arrijmë gjë. I përket kësaj shoqërie, madje ka ardhur ora të mendojmë të gjithë se si duhet ta bëjmë më të qëndrueshme familjen tonë, e cila është shoqëria jonë. Duhet të fillojmë të formësojmë atë që quhet shoqëri civile, opinion publik, kur këtij të fundit t‘i trembemi më shumë se ligjit, atëherë do të kemi më pak media të blera e të shitura, më pak politikanë të korruptuar, qeverisje më transparente…

Nëse këtë nuk e bëjmë dot, atëherë do të mbetemi pengu i vetes sonë, i historisë që përsëritet çdo ditë, ku burrat vrasin gratë dhe shoqëria hesht, ku fëmijët dhe vajzat trafikohen dhe shoqëria hesht, ku korrupsioni gëlon dhe shoqëria hesht, ku ndodh një Gërdec dhe shoqëria sërish hesht… Dhe në fund, media do të mbetej një pasqyrë e shëmtuar dhe e thyer. (G.Shqip)

Komento shkrimin

Ju mund te perdorni shenja XHTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <blockquote cite=""> <code> <em> <strong>