Fund epokes se arte, gazetat ne krize

Media e shkruar, ajo tradicionale, po humbet gjithnjë e më shumë terren. Të tronditura nga kriza ekonomike, “të sulmuara” gjithnjë e më shumë, si nga partitë e majta dhe nga ato të djathta, … … të bëra copë e çikë nga skandalet, të vëna në pikëpyetje nga gazetarët arrivistë, gazetat janë kthyer në një objekt debati shumë shqetësues. Në SHBA, ashtu si edhe në Britani, Francë, Itali, Greqi, por edhe në Japoninë e largët, gazetat po pësojnë humbje gjithnjë e më të mëdha dhe po përballen me momente të vështira financiare. Numri i lexuesve është ulur, besueshmëria u është cenuar seriozisht. Krijimi i mediave konkurrente, në veçanti kabllori apo interneti, e kanë ulur audiencën e shtypit të shkruar apo mediave televizive. Kriza është vënë re prej kohësh, por pasojat e para reale janë evidentuar vetëm ditët e fundit. Pasi njoftoi se nuk do të dilte më në formën e printuar pas disa vitesh, por vetëm në internet, gazeta e famshme “New York Times” ka hipotekuar gradaçelën e saj në Manhatan, që ishte konceptuar si një monument i transparencës së informacionit dhe pushtetit të medias amerikane. Tani që gazetaria është në krizë, kreditorët dhe grupi editorial që publikon 18 gazeta të përditshme, ka vendosur të mbledhë 225 milionë dollarë nëpërmjet një kredie të siguruar nga hipoteka, për t’i pasur në gjendje në rast rreziku. Ndërkohë, “Miami Herald”, gazeta e famshme e Floridas, është nxjerrë në shitje nga shoqëria “McClatchy”, pronare e një rrjeti të gjerë gazetash në SHBA. Ditët e fundit, pas shumë muajsh reduktim shpenzimesh, sakrificash dhe pushimesh nga puna, që rezultuan të pamjaftueshme për të lehtësuar borxhet e saj, edhe grupi “Tribune”, që kontrollon mes të tjerash edhe “Chicago Tribune” dhe “Los Angeles Times”, ka vendosur të kërkojë administrimin e kontrolluar. “Kemi asete 7,6 miliardë dollarë dhe borxhe 12,97 milionë dollarë”, - shpjegojnë pronarët e këtyre gazetave. Java e zezë për gazetat amerikane nuk ishte parashikuar aspak. Edhe pse situata po përkeqësohej prej vitesh për shkak të efektit të konkurrencës në internet dhe të ndryshimeve, dhe për shkak të brezave në lidhje me menaxhimin e informacionit; tashmë të rinjtë janë të mirinformuar dhe përdorin për këtë qëllim internetin, televizionin, celularët, radion dhe lloje të tjera mediash. Nga ana tjetër, kriza ekonomike e ka përkeqësuar situatën. Analistët thonë se në Itali, Francë, Gjermani dhe Britani, situata është po kaq problematike, edhe pse deri tani është folur për efektin e krizës vetëm në sektorin ekonomik dhe jo atë të medias. Vetëm se në Europë, për krizën e gazetave nuk flitet aq shumë, ndërsa në SHBA çdo media që përballet me vështirësi financiare, nuk e ka shumë të gjatë jetën dhe i gjithë ky është një informacion i hapur për publikun. (G. Shqiptare)

Komento shkrimin

Ju mund te perdorni shenja XHTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <blockquote cite=""> <code> <em> <strong>