Debati për shtypin? Ajo që nuk është thënë ende…
nga Bardhi Sejdarasi
Mesa duket po krijohet e plotë tabloja e gjendjes së sotme të medias në Shqipëri. Debati i “Shqip” është bërë interesant. Dhe jo vetëm mes kolegësh të shtypit. Shumë të tjerë po e ndjekin dhe stimulojnë këtë debat. Pse pata dëshirë të shkruaj sërish për “krizën”? Mbase më shtyu një raport i IREX. IREX-i, Bordi Ndërkombëtar i Kërkimeve dhe Shkëmbimeve, është një organizatë ndërkombëtare që merret me edukimin, shtypin e pavarur dhe shoqërinë civile. Prej vitesh, funksionon edhe në Shqipëri. Çfarë thotë raporti? Tekstualisht: “Në Shqipëri nuk ka asnjë shoqatë ose sindikatë që mbron interesat e gazetarëve apo nxit etikën profesionale”. Studimi i IREX-it përfshin rreth 20 vende nga Evropa Juglindore dhe Euroazia.
Pak histori
Rreth viteve 1992-1994, gazetarët e parë që filluan punë në mediat e reja të postdiktaturës tentuan të grupoheshin në organizata joqeveritare për mbrojtjen e interesave të tyre. Në grupin e gazetarëve nismëtarë si Faruk Myrtaj, Çerçiz Loloçi, Genc Tirana, Mero Baze, Ylli e Albert Rakipi (por dhe të tjerë që fatkeqësisht nuk jetojnë më) isha edhe unë, si gazetari më i ri, që kisha fituar konkursin e punësimit në gazetën “Republika” (së bashku me Y. Rakipin). Marash Hajati ishte ende kryetar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë dhe organizata e tij zotëronte ende disa prona: disa zyra të mira, por edhe një klub jo edhe aq modest, ku mblidheshin gazetarët e gazetave të diktaturës.
Gazetat “RD” dhe “Republika” dhe më pas edhe “Alternativa SD” ishin afër këtyre mjediseve, por vështirë se gazetarët e tyre i frekuentonin. Për arsye që merren lehtë me mend. Kjo ishte një tjetër shtysë që grupi i gazetarëve të rinj të mediave të reja të kërkonin krijimin e një organizate gazetarësh, të ndryshme nga organizata e z. Hajati. Kështu ndodhi. Mero Baze e kishte krijuar bërthamën sapo kishte ardhur nga Memaliaj dhe ishte në krye të grupit. Pak muaj më vonë, kur Ylli Rakipi do të zëvendësonte Petro Dhimitrin në postin e kryeredaktorit të “Republikës”, Afrim Krasniqi i kërkoi Sali Berishës që Ylli të ishte kryetar i “Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë” (”League of Albanian Journalists”), - kështu u pagëzua ky bashkim vullnetar gazetarësh. Dhe nuk ishim më shumë se 10-15 njerëz. Berisha e miratoi menjëherë kërkesën dhe në edicionin e lajmeve të asaj dite, në orën 16:00, në TVSH, u dha lajmi për krijimin e kësaj organizate dhe zgjedhjen e z. Rakipi në krye të saj. Godina e Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë në rrugën “Vaso Pasha”, Nr. 8, ishte një ish-ndërtesë e administruar nga Ministria e Kulturës, e cila ia dha në dispozicion Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë.
Kjo është e vërteta.
Vite më pas, Mero Baze krijoi “Forumi për Mediat e Lira” dhe Armand Shkullaku regjistroi në gjykatë “Lidhja e Gazetarëve Profesionistë”. Organizata të tjera gazetarësh u krijuan edhe më pas, si ajo që gruponte gazetarët e kronikës apo “Lidhja e Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë” (LEGA) që nuk patën as histori dhe as jetë. Ishte krijuar gjithashtu edhe Sindikata e Gazetarëve të Shqipërisë (madje dy të tilla, të regjistruara rregullisht në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës)
Pas historisë së treguar
Nuk është se na mungonin, pra, sipas IREX, organizatat dhe shoqatat që mbronin gazetarët dhe etikën e shtypit. IREX kishte financuar disa prej tyre, edhe me disa dhjetëra mijë dollarë. Ishte krijuar gjithashtu edhe Instituti i Mediave, si dhe Qendra Shqiptare e Monitorimit të Mediave. Një bollëk i madh për një vend të vogël si Shqipëria!
E përmend këtë histori organizatash për t‘iu qasur më shumë problemit të medias së sotme dhe të krizës së saj. Për të thënë që një pjesë e kësaj krize është gatuar nga vetë gazetarët. Vini re: Asnjë nga drejtuesit kryesorë të organizatave të mësipërme nuk është larguar nga drejtimi i organizatës, as me dorëheqje dhe as me zgjedhje. Asnjë nga organizatat e mësipërme nuk ka zhvilluar zgjedhjet, sipas statuteve respektive të depozituara në Gjykatën e Shkallës së Parë të kryeqytetit! Këta janë kryetarë të përjetshëm dhe do të mbeten të tillë derisa të funksionojë mekanizmi ligjor, sipas të cilit Gjykata ka të drejtën të “shkrijë” çdo shoqatë dhe organizatë (OJF) që nuk zbaton në mënyrë ligjore statutin e saj. Unë nuk jam i mendimit se nuk është bërë asgjë nga organizatat e mësipërme. Por transparenca e munguar në përdorimin e fondeve, në marrëdhëniet me të tretët (sidomos organizatat e huaja homologe dhe ato mbikëqyrëse) dhe sidomos kontributi në mbrojtjen e gazetarëve, gazetarisë dhe të etikës së saj, kanë munguar dukshëm.
Sindikatës së Gazetarëve të Shqipërisë, që u sponsorizua nga IREX, ia zuri vendin Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, që u sponsorizua po nga IREX. Por rezultati edhe në rastin e dytë mungoi. Paratë e taksapaguesve amerikanë nuk dhanë atë që pritej dhe atë që u premtua. Kontrata kolektive e punës dhe sigurimi i trepartitizmit në rregullimin e marrëdhënieve mes gazetarëve, botuesve dhe shtetit mbetën në “vendnumëro”.
IREX nxori një tjetër raport monitorimi ku u shpreh se “në Shqipëri, ka disa shoqata gazetarësh, por roli i tyre minohet nga fakti që ato drejtohen nga pronarë mediash”.
Kësaj i thuhet si ajo shprehja e moçme: “Ku ishim, hiç gjëkundi, çfarë bëmë, hiç asgjë!”.
Halli hallit nuk i ngjan
Në debatin e “Shqip” duhen vlerësuar opsionet e shprehura. Në thelb rrahin në të njëjtin shqetësim, pavarësisht këndvështrimit personal të analistëve dhe punonjësve të tjerë të shtypit, apo të lidhur me të. Por problemet e vërejtura brenda vetë medias apo më mirë komunitetit të punëtorëve të saj, janë më të mprehta. Nga debati i zhvilluar kam vënë re se ekziston një konsensus i gjerë për nevojën e rritjes së besueshmërisë së mediave, gjë që lidhet me transparencën e pronësisë, me transparencën e burimeve financiare, me transparencën e tirazheve etj.
Ka ardhur koha të dallojmë sipas standardeve të vendeve të BE-së, ku po integrohemi “fjalën e lirë” nga “biznesi me fjalën”, të dallojmë qartë biznesin e medias nga bizneset, për fat të keq shpeshherë të pista, në media.
Problematike paraqitet situata edhe në tregun e punës së medias. Nga të dhënat e institucioneve të specializuara të shtetit rezulton se shumica e gazetarëve dhe punonjësve të medias punojnë në të zezë, pra janë të pasiguruar. Edhe për ata pak gazetarë apo punonjës që punojnë legalisht, sigurimet e tyre paguhen mbi një pagë minimale qesharake.
Interesant është konkluzioni që del nga faktet zyrtare se, TV-të e licencuara, vetëm 45% të të ardhurave i kanë nga reklamat, 5% nga sponsorizimet dhe gati 50% nga “burime të tjera”. Për t‘u theksuar është se nga këqyrja e bilanceve, nuk arrihet justifikimi me burime financimi i investimeve që pronarët e disa mediave deklarojnë. Gjendjen reale të medias shqiptare përballë misionit të saj publik e jep tregu dhe vetë opinioni publik, ndërsa se cila është situata e saj përballë Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe të gjitha marrëdhënieve ligjore, që lidhen me median, duhet të gjykohet nga institucionet e shtetit.
Në radhë të parë e kryesisht për këtë duhet të japë kontributin e saj vetë media, e cila lipset, që në mënyrë të pavarur, të krijojë mekanizmat e vet balancues dhe antikorpet ndaj mungesës së transparencës, pastrimit të parave apo të pushteteve, aprofesionalizmit, spekulimit dhe ndotjes së ambientit shoqëror e politik me shpifje, shantazhe, e kështu me radhë.
Vetëm në këtë realitet ligjërisht të lirë e konkurrues sipas rregullave të ekonomisë së hapur të tregut, nuk do të ketë më gazeta që prodhojnë vetëm 300 kopje, gazetarë të pambrojtur që flaken nga njëra media në tjetrën, ndërsa pronarët vazhdojnë sipërmarrjet dhe shtojnë numrin e vilave dhe të kateve të pallateve, ndërsa bëjnë zhurmën e një gazetarie acide, pra shkatërruese, sikur të ishin pronarë të gazetave më të mëdha të globit.
Çfarë do të thotë kjo? Ka ardhur koha e grupimeve reale të punëtorëve të shtypit, e organizatave përfaqësuese të tyre, që të zgjidhen e të zgjedhin në mënyrë demokratike më të kultivuarit në mbrojtjen e interesave të gazetarëve dhe të etikës së gazetarisë. Ka ardhur koha që të punohet e punojmë si homologët tanë të Europës. Dhe këtë duhet ta bëjmë shpejt, përpara se të mbushim, me të drejtë, faqet e gazetave me debatin tonë joshterues, të dobishëm e që kërkon finalizim e ofrim zgjidhjesh imediate.
Ajo që është evidentuar deri më sot me grupimet inekzistente të sindikatave e shoqatave, me Institutin e Media-s, IREX e ndonjë tjetër që përdorojnë paratë e taksapaguesve europianë apo amerikanë pa efektivitetin më të dukshëm, duhet ndryshuar. Së pari nga gazetarët, pastaj edhe duke iu drejtuar institucioneve sponsorizuese për të parë përdorimin transparent të milionave të dollarëve e eurove, dedikuar gazetarëve shqiptarë, por përdorur pak ose aspak për ta dhe profesionin e tyre të nderuar.

Komento shkrimin