Agonia e shtypit të shkruar dhe lulëzimi i opinionistëve

nga Bajram Peçi

Debati i nisur prej ditësh, në faqet e të përditshmes “Shqip”, të parën gjë që i sjell lexuesit ndërmend, pasi mëson se ka një krizë serioze në media, është të bëjë pyetjen: Nga se varet jeta e gazetave në Shqipëri? Një ekonomist i sprovuar, fët e fët do shfletonte nga librat bazë të ngrehinës së ekonomisë botërore e do jepte me një frymë përgjigjen: nga konkurrenca. Artikullshkruesi, pjesë prej kohësh e administrimit të shtypit të shkruar, do të ngërdheshej me përgjigjen që i shkon për shtat zhvillimeve normale, por jo shpërfytyrimeve shqiptare. Shtypi i shkruar në Shqipëri s‘njeh dhe s‘ka të nevojshme asnjë teknikë menaxhimi. Të gjithë e dinë se jeta e gazetave në Shqipëri nuk varet nga konkurrenca, pra, e thënë më shqip, nuk varet nga lexueshmëria, çka do të thotë më shumë lexues, më shumë shitje, më shumë të ardhura. Zotërinj të nderuar, pjesëmarrës në debatin për krizën e mediave! Të gjithë e dimë se në Shqipëri shtypi i shkruar, i përditshëm e periodik, nuk i nënshtrohet ligjësive ekonomike. Konkurrenca ekziston, por jo për të përcaktuar fatin e mëtejshëm të tyre, konkurrenca ekziston, por nuk ekziston dhe as njihet institucioni i falimentimit. Nga ky rregull bën përjashtim shtypi bulevardesk.

Lexoni një paradoks: tirazh gazeta për numër banorësh, Shqipëria është e fundit në Evropë, ndërsa titujt (deri në inflacion) e të përditshmeve në treg, për numër banorësh e territor e vendosin në vend të parë(?!). Atëherë, kur e dimë se jeta e gazetave nuk varet nga shitja, nuk varet as nga reklama e mallrave e të shërbimeve (se Shqipëria nuk është prodhues mallrash) dhe ka një sistem të shkatërruar abonimesh, pse disa prej tyre qëndrojnë ende në këmbë?

Shembujt më klasikë të zhvillimeve të shtypit të shkruar në botë, Hërst e Murdok, tani perandori mediatike, tregojnë se ato lindën e u zhvilluan si biznese. Shembulli në tregun kapitalist shqiptar të gazetave na tregon se këto përpjekje u bënë në fillesat e shtypit demokratik, por vite më pas dështuan, të ndodhur nën trysninë e aventurierëve që e zgjodhën shtypin e shkruar jo si biznes. Ka tituj të të përditshmeve që nuk shesin më shumë se 100 copë dhe vazhdojnë. Pse ndodh kështu? Ja disa përgjigje stereotipe, që i gjen prej kohësh në referime e komente: botuesi kërkon pushtet; botuesin e mban pushteti; botuesi kërkon të jetë influent në politikë; botuesi mbron biznesin e interesat e tij; botuesi punon për lavdi; botuesi pastron paratë. Po të ishte nga argumentet e mësipërme se “botuesi punon për lavdi”, ku ta gjeje, do ishte një fatbardhësi për shqiptarët, po ja që s‘është kjo arsyeja e vërtetë. Fuqia që të jep shtypi i shkruar, ka futur, për të keqen e fatit të tij, individë e përfaqësues biznesesh që s‘kanë pasur kurrë si motiv fitimin me organet e tyre dhe s‘kanë pasur asnjë lidhje me mediat. Ndryshe nga këta, kur “Shqip” hynte në tregun shqiptar, një nga arsyet e themeluesit, ishte të ngrinte një të përditshme profesionalisht të arrirë, që të konkurronte të përditshmet e tjera, ku e vërteta bëhej lojë e përdorur nga pronarët si instrument për qëllim përfitimi, një e përditshme e aftë të përcillte interesin publik. “Shqip” është e përditshmja më e re në treg dhe së bashku me “Gazetën Shqiptare” janë të vetmet që dalin me çmimin e shitjes 50 lekë, duke iu përmbajtur kështu një ligjësie ekonomike: të ardhura-shpenzime. Të gjitha gazetat që dalin në treg me çmimin 20 lekë copa, nuk mbulojnë dot as shpenzimet e prodhimit. Natyrshëm kuptohet se lejohet abuzim e shpërdorim me “Lirinë” në shtyp, edhe sepse Ministria e Financave nuk është e aftë qoftë edhe të kopjojë sjelljen ligjore të fqinjëve tanë, për çështjen në fjalë. Në këto rrethana, çfarë vlere mbart konstatimi i zotit Mentor Nazarko, në artikullin e djeshëm se “Kriza në planin sasior i detyrohet sigurisht cilësisë së mediave, domethënë të cilësisë së produktit të tyre”. Po të jetë kështu, atëherë pse e përditshmja “Dita Informacion”, ku z.Nazarko, punonjës i kahershëm i shtypit të shkruar, ka punuar së bashku me të vëllanë si drejtor e kryeredaktor, nuk jetoi? Zoti Nazarko! Pse “ABC”, pa mëdyshje e përjavshmja më e mirë që ka parë deri më sot tregu shqiptar i shtypit, duke pasur juve si kryeredaktor, vdiq? Pse? Për shkak të cilësisë së produktit? Natyrisht që jo, e ky nuk është vetëm opinioni im. Të dy e dimë mjaft mirë këtë gjë. Pra, duam, s‘duam, na duhet të pranojmë një të vërtetë, që e thoshte qartazi z.Besnik Myftari në shkrimin e datës 22 gusht, se kriza në përmbajtje e shtypit të shkruar është rrjedhojë para së gjithash e krizës financiare, nga bataku i së cilës disa gazeta përpiqen të dalin, duke i shndërruar faqet e tyre në “Paloma” e tabloide të tjera bulevardeske. Zotit M.Nano i lejohet luksi të mos i kërkohet të dijë gjendjen e asaj që rëndom në gazeta quhet prapavija, por që në thelb është vija e parë, se nuk ka qenë ndonjëherë drejtues i një gazete, por jo juve, z.Nazarko, që përballjet financiare ju kanë bërë shpesh me dhembje koke.

Shkojmë më tej. Nuk di nga vijnë të dhënat se “…trendi i tirazheve kudo në botë njeh vetëm rritje”, ndërkohë që është e njohur mirë se hedhja e gazetave në internet, me pagesë e pa pagesë, po ul ndjeshëm tirazhet. Në krizë janë emrat më të mëdhenj të shtypit të shkruar, “Le Monde”, “New York Times” etj., të përfshira gjerësisht në shkurtime masive punonjësish. Të përditshmen “Shqip” e lexojnë në internet, për çdo ditë 17 mijë veta në Shqipëri, 8 mijë veta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth 6 mijë veta në Itali e Austri etj. Si nuk paska ndikim e nuk e futka në krizë mënyra e re e përcjelljes së lajmit e lëndës? Kushdo e kupton se nuk mund të bëhet e nuk lejohet të bëhet krahasimi i shifrave e treguesve me dhjetë vjet përpara, përderisa struktura e mjeteve të komunikimit e transmetimit të lajmit ka ndryshuar rrënjësisht, në përparësi të teknologjisë së re.

Afërmendsh është e njohur se në Shqipëri ka një qytetari të emancipuar që nxit njerëzit e gazetat të protestojnë kundër çdo keqpërdorimi të pushtetit. Këtë ka bërë dhe “Shqip”. Ka përmbushur misionin e tij, për të qenë një vëzhgues i hollë e i vëmendshëm ndaj zhvillimeve politike, ekonomike e sociale. Këtij qëllimi i ka shërbyer e po i shërben afrimi pranë kësaj gazete dhe lënia e faqeve “Komente” e “Opinione” në dispozicion të penave më të spikatura të gazetarisë shqiptare, që me peshën e fjalës së tyre të jenë ndikues në opinion e të formojnë qëndrime në interes të shoqërisë. Përzgjedhja e tyre ka qenë mënyra me të cilën “Shqip” ka dashur të thotë të vërtetën. Në qoftë se ata paguhen mirë nga gazeta (dhe i meritojnë) kjo s‘do të thotë aspak se është qëllim i gazetës, por që ata me shkrimet e tyre të jenë në shërbim të lexuesit, pro apo kundër politikës editoriale të gazetës, me zëra të ndryshëm dhe ta bëjnë të përditshmen informative sa më të pëlqyeshme. Janë ata, opinionistët, që ja japin fytyrën gazetës e nuk janë redaktorët e kronikave, siç pretendohet, që shkruajnë të dhëna, të thëna e të stërthëna gjithë ditën e gjithë natën në tërë kanalet televizive, ndërkohë që soji i gazetarit të terrenit është në zhdukje e sipër. E ndjejnë ndopak veten përgjegjës opinionistët, për të ditur se sa kanë ndikuar me shkrimin e tyre “Opinion” në shitje, në tirazh, në të ardhura? A janë ata pjesë e krizës në media, atje ku hanë, apo e përjashtojnë veten? Kur shtypi i përvidhet misionit të vet, një çështje kjo që ngrihet si shqetësim nga z.Mustafa Nano, do të thotë e do kuptuar se një gazetë e përditshme ka rrezikuar seriozisht statusin e saj. Ky konstatim mund të jetë apo të mos jetë i pranueshëm nga këndvështrimi i gjithsecilit. Është rrjedhë e ngjarjeve dhe e vrojtimit, apo përfundim i nxjerrë nën efektin e përshtypjeve që të ka lënë libri i fundit i lexuar, apo aksh artikull. Cilat do qofshin rrethanat nga vijnë këndvështrimet, ato nuk do të jenë të mjaftueshme për të marrë qëndrim përgjithësues, për sa kohë përvjedhjes nga misioni nuk i nxjerr shkaqet e shkaktarët.

Siç ngjet kudo, edhe te ne nuk mund të ketë barazi në të drejtën për të folur. Një shumicë intelektualësh, që dinë të flasin, nuk kanë ku flasin. Do të më pëlqente të shkoja deri aty sa të thosha se ndoshta ata kanë përfaqësues të tyre ata opinionistë, që e përdorin të drejtën për të folur, duke shkruar në një të përditshme, jo duke iu përshtatur spektrit politik. Nuk është se mediat janë më të ndershme se politika, por të paktën ato shfaqen më me qytetari. Le ta vendosin opinionistët veten në këtë këndvështrim përgjegjësie përfaqësimi.

Sa çudi më vjen kur lexoj se “…shenja pozitive po duken me shfaqjen e grupeve të huaja”. Ngre supet kur shoh se bëhen më kot përpjekje që dukuria e një forme kalimthi e rastësore, jepet si përmbajtje e të ardhmes së shtypit. Jo zotërinj! Nuk do t‘i vijë shpëtimi shtypit të shkruar, duke u bërë zotërim proteksionist i shoqërive e kapitaleve të huaja. Së pari, është e rëndësishme që të rishqyrtohet edhe njëherë në Kuvendin e Shqipërisë propozimi që Nikollë Lesi, si përfaqësues i mediave në Parlament, bëri kohë më parë, për vendosjen e rregullave evropiane të tregut të shtypit. Ky detyrim vjen edhe si pasojë e kërkesës së vendit kandidat në BE. Është e sigurt se kjo krizë e ky lloj shtypi në Shqipëri do vdesë e do rilindë, kur në pushtet të mos ketë individ që të kenë frikë nga presioni i mediave. Vetëm atëherë shtypi do meritojë emërtimin “Instrumenti demokratik i lirisë”. (G. Shqip)

Komento shkrimin

Ju mund te perdorni shenja XHTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <blockquote cite=""> <code> <em> <strong>